Edhe një grua vdes nga dhuna në familje
Prishtinë, 24 nëntor - Në ditën kur vëmendja e tërë botës është në luftimin e dhunës ndaj grave, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes mediave, u njoftua sot se si pasojë e dhunës në familje edhe një grua është vrarë nga bashkëshorti i saj.
Pas komunikimit me Mbrojtësin e Viktimave në Pejë, RrGK u informua se kemi të bëjmë me një vrasje në tentativë.
Bashkëshorti kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila si pasojë e lëndimeve të rënda nuk ka arritur të jap deklaratën e saj në polici, pasi që ajo është dashur të dërgohet menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor.
Aty edhe ndërroi jetë. Përveq të ndjerës, e lënduar ishte edhe bashkëshortja e djalit të tyre, e cila poashtu ishte dërguar për trajtim mjekësor.
Sot, kur fillojnë “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave”, ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të merren seriozisht me dhunën dhe vrasjet që po bëhen ndaj grave. RrGK kërkon nga organet e drejtësisë të reagojnë sa më shpejtë në hetimin dhe zbardhjen e rastit. Kryesit e dhunës dhe vrasësit duhet të denohen për krimet e shkaktuara në pajtim me ligjin.
RrGK në bashkëpunim me BIRN janë duke i monitoruar rastet e dhunës ndaj grave të raportuara tek institucionet vendore, në mënyrë që të ofrohet trajtim i dinjitetshëm i këtyre rasteve.
Mjaftë më me arsyetime! Dhuna është krim!