Edhe komunat përgjegjëse në procesin e Integrimit Evropian
Prizren, 6 tetor Ministri i Integrimit Evropian, Besim Beqaj ka theksuar sot në Prizren se komunat kanë detyra dhe përgjegjësi të rëndësishme në procesin e Integrimit Evropian.
Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, Beqaj ka theksuar se institucionet e vendit kanë plotësuar të gjitha parakushtet për marrjen e strategjisë për procesin e liberalizimit të vizave dhe në plotësimin e shumicës së sfidave të dhëna në Raportin e Progresit nga viti i kaluar.
Ministri ka theksuar se komunat kanë përgjegjësi të theksuara në procesin e Integrimit Evropian, pasi që janë bartëse të aktiviteteve të shumta të cilat duhet plotësuar.
Me këtë rast u theksuan obligimet në procesin e rregullimit të regjistrit civil, sistemimin dhe rikthimin e qytetarëve që kthehen nga vendet Perëndimore, ngritja e kapaciteteve humane në nivel komunal që merren me çështjet e integrimit dhe koordinimin e donacioneve.
Kryetari Muja theksoi përkushtimin e tij dhe institucioneve të Komunës për realizimin e obligimeve që dalin nga ky proces.
Vizita e ministrit Beqaj është pjesë e aktiviteteve në procesin e Integrimit Evropian.