EBA mbështet Kosovën në konsolidimin ndërkombëtar
Prishtinë, 12 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al Nahjan, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës si dhe proceset e tjera demokratike të vendit.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi vizitën në Kosovë të ministrit të jashtëm, Sheikut Abdullah Bin Zajed Al Nahjan, si mundësi të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme. Ajo tha se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur marrëdhënie të mira ndërmjet vete dhe kanë shkëmbyer vizita të rëndësishme të nivelit më të lartë, të cilat duhet të shërbejnë për vendosjen e bashkëpunimit konkret ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe në veçanti ka arritur të shtojë numrin e njohjeve ndërkombëtare edhe nga bota myslimane duke konsoliduar shtetësinë e saj.
Ajo tha se konsolidimi ndërkombëtar i vendit është përparësi kryesore dhe në këtë proces mund ta ndihmojnë Emiratet e Bashkuara Arabe, posaçërisht në rajonin e Lindjes së Mesme por edhe tek vendet e tjera anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova aspiron anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në OKB, si një vend që ka stabilizuar demokracinë e brendshme, që po ndërton shoqëri gjithëpërfshirëse, si një shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe një promotor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Presidentja Jahjaga theksoi se vendi po kalon nëpër një proces të reformave të përgjithshme që do të mundësojnë edhe krijimin e një klime të mirë të biznesit dhe të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, si dhe do të tërhiqnin investimet e huaja. Ajo tha se ndihma e Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e zhvillimit ekonomik do të ndihmonte vendin.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë vende që kanë interes të përbashkët që të adresojnë kërcënimet e ekstremizmit kudo dhe kurdo që të shfaqet. Ajo tha se kjo është një çështje që kërkon qasje të përbashkët.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al Nahjan, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për mikpritjen, e përgëzoi për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat.
Ai tha se EBA e kanë mbështetur Kosovën në periudha të ndryshme dhe do të vazhdojnë ta përkrahin atë edhe në proceset e tjera demokratike dhe në konsolidimin ndërkombëtar të saj.
Ministri i jashtëm i EBA-së, Sheik Abdullah Bin Zajed Al Nahjan, tha se është me rëndësi stabiliteti i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor po aq sa është i rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik dhe të investimeve.