E palogjikshme të ketë zgjedhje pa reformë
Prishtinë, 24 janar - Partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re (AKR), është kundër shkuarjes në zgjedhje të përgjithshme parlamentare pa përfunduar reforma zgjedhore.
Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë për Epokën e re se është e palogjikshme që për gjatë tre vjetëve të gjitha subjektet politike ta kërkojnë ndryshimin e ligjit aktual zgjedhor, ndërsa në fund të shkohet në zgjedhje me të njëjtin ligj.
Vazhdojmë të insistojmë të përfundohet reforma zgjedhore, pastaj të hapet mundësia për zgjedhjet nacionale. Është e papranueshme dhe alogjike që gjatë këtyre tre vjetëve secili subjekt politik është ankuar për ligjin zgjedhor dhe secili subjekt politik është përcaktuar për reformë zgjedhore, ndërsa tash nuk është e logjikshme të hyjmë në zgjedhje pa reformë, ka thënë Makolli.
Ai ka bërë me dije se për AKR-në është e parëndësishme nëse zgjedhjet do të mbahen në verë apo në vjeshtë. Sipas tij, relevante është të eliminohen defektet e identifikuara në zgjedhjet e fundit.
Nuk është mirë të shkohet në zgjedhje parlamentare pa reformë zgjedhore për shkak se janë identifikuar disa prej mangësive që ekzistojnë në ligjin aktual zgjedhor. Mendoj se duhet të veprojmë shpejt që të përfundohet reforma, pastaj se cili muaj do të jetë muaj i zgjedhjeve. Ne kemi hyrë në vitin e zgjedhjeve dhe nuk prish punë asgjë që këto të mbahen tre muaj përpara apo tre muaj mbrapa, është shprehur Makolli. Në këtë kontekst, sekretari i AKR-së ka treguar se subjekti i tij politik është i gatshëm qoftë për ndryshime të ligjit zgjedhor, qoftë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse ka vullnet të hyhet në një reformë të thellë, që nënkupton edhe ndryshimet kushtetuese, ne jemi të gatshëm, sikurse jemi të gatshëm vetëm për ndryshime në ligj që nuk prekin Kushtetutën. Po nuk është mirë të shkohet në zgjedhje pa u eliminuar një mori dobësish që i ka ligji aktual zgjedhor, sepse kemi përplasje të brendshme të ligjit, ka thënë ai. Sipas Makollit, nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje pa këtë reformë do të shkaktojë zhgënjim tek opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar.
Nëse shkojmë pa reformë në zgjedhje do të dalim pak joseriozë edhe në raport me opinionin e brendshëm, sepse është trumbetuar gjatë tre vjetëve para opinionit nevoja për reformë zgjedhore. Po ashtu, kjo ka qenë kërkesë edhe e bashkësisë ndërkombëtare dhe e Raportit të Progresit për Kosovën. Pra, nëse nuk arrijmë të bëjmë reformë adekuate, kjo do të sjellë zhgënjim te qytetarët, ka deklaruar Makolli.