14 Janar 2025

E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

Prishtinë, 26 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Sekretaren e Përgjithshme të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Helga Schmid, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale dhe në veçanti për rrugën evropiane të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka vendosur një dinamikë të re në thellimin e reformave të brendshme, me theks në sundimin e ligjit dhe të rendit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, konsolidimit demokratik në vend, avancimin e reformave në sektorin e shëndetësisë dhe arsim si dhe në fushën e zhvillimit ekonomik.

Ai tha se zgjedhjet komunale në Kosovë, të 22 tetorit, janë zhvilluar në një frymë të qetë e demokratike dhe Kosova me organizimin e zgjedhjeve po tregon pjekurinë politike dhe standardin e përcaktuar evropian e ndërkombëtar.

Kryeministri Haradinaj theksoi se institucionet e vendit janë thelluar në përmbushjen e obligimeve të dala nga agjendat evropiane dhe marrëveshja kontraktuale e Asociim Stabilizimit me BE-në, me qëllim të përafrimit të vendit me statusin e kandidatit për anëtarësim.

Ai theksoi se Kosova është e përkushtuar për rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe kërkon edhe ndihmën e BE-së dhe njëkohësisht ka dëshmuar se është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kryeministri Haradinaj tha se qeveria ka dinamizuar punën në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave me BE-në dhe theksoi se çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës duhet të përmbyllet sa më shpejt.

Kryeministri Haradinaj tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar në Bruksel, duhet të arrihet dhe kërkoi zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dakorduara, por vlerësoi se dialogu duhet të konceptohet, afatizohet dhe të garantohet nga BE-ja, por edhe me përfshirjen e SHBA-ve si garantues të këtij procesi.

Sekretarja e Përgjithshme e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Helga Schmid, tha se Kosova është pjesë e Evropës dhe se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Ajo duhet të punojë në zbatimin e të gjitha kritereve të përcaktuara me MSA-në dhe të thellojë reformat e brendshme në veçanti ato në fushën e sundimit të ligjit.

Ajo tha se Kosova duhet të përmbushë kushtet për liberalizim të vizave për qytetarët e saj.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)