Dy organizata kosovare marrin shpërblime në Pragë
Pragë, 21 qershor - Dy organizata nga Kosova janë shpërblyer në Pragë të Republikës Çeke në ceremoninë përmbyllëse për çmimin e Fondacionit ERSTE për Integrim Social 2011. Shuma e fituar nga ky shpërblim kap shifrën e 16 mijë euro për secilin projekt.
Projekti Integrimi i fëmijëve me autizëm i shoqatës Të bashkuar për autizëm nga Prishtina dhe SOS fshati i ri i fëmijëve, i shoqatës së SOS fshatit ndërkombëtarë të fëmijëve në Prishtinë, ishin në mesin e tridhjetë e një finalistëve të çmimit për Integrim Social, të cilin Fondacioni ERSTE e ka dhënë për të tretën herë organizatave të cilat janë duke zhvilluar dhe zbatuar projekte të lidhura me integrimin social.
Në konkurrencë për çmimin, i cili u dha të hënën në Pragë, ishin 132 projekte nga 12 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (Kosova, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia).
Programi Integrimi i fëmijëve me autizëm i Jeta Devës ka bërë që 35 fëmijë në Kosovë të diagnostikohen me autizëm. Në këtë projekt ekspertë ndërkombëtarë kanë trajnuar psikologë dhe mësues nga Kosova për identifikimin e fëmijëve me autizëm gjë e cila më parë nuk ka ndodhur në Kosovë. Prindërit e fëmijëve me autizëm është dashur t\'\'\'\'i dërgonin ata jashtë vendit të trajtim të mëtejmë.
Pasa këtyre trajnimeve fëmijëve u është dhënë trajtim terapeutik dhe është vërejtur përmirësim i tyre në komunikim dhe aftësitë e tyre në jetën e përditshme. Ndërsa projekti i SOS fshatit të fëmijëve SOS fshati i ri i fëmijëve ka të bëjë me fëmijët në nevojë të cilët janë të përjashtuar nga shoqëria. Atyre SOS fshati i fëmijëve u ka dhënë një fillim të ri të jetës së tyre duke u ofruar 120 fëmijëve kujdes në arsimimin parashkollor.
Ky është i vetmi institucion parashkollor që zbaton strategjinë e arsimit parashkollor. Është interesante që në këtë institucion janë të përzier të gjithë fëmijët përfshirë fëmijët e varfër, ata me nevoja të veçanta dhe fëmijët e tjerë. Në këtë konkurs janë paraqitur 1850 aplikacione, e 132 projekte, nga ekspertët ndërkombëtarë, janë zgjedhur për të hyrë në listën e shkurtër.
Fondi i përgjithshëm për çmimin, e finalistëve, është 613 mijë euro, ndërsa 132 organizata kanë marrë përfitime të tilla. Juria e çmimit te fondacionit ERSTE për Integrim Social në vitin 2011 përbëhej nga 18 ekspertë në fushën e integrimit social, midis të cilëve nga Kosova ishte analisti Shkëlzen Maliqi