DV: Ka bazë për anulimin e rezultateve në Skënderaj e Drenas
Prishtinë, 14 dhjetor - Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim ka publikuar të dhënat paraprake për ecurinë e përgjithshme të zgjedhjeve parlamentare dhe ato për komunën e Skenderajt dhe të Drenasit.
Për shkak të parregullsive të evidentuara nga vëzhguesit e këtij rrjeti këto dy komuna ishin përjashtuar nga rezultati paraprak për zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Në një konferencë për mediat kreu i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu foli për llojin e shkeljeve që janë bërë në Skenderaj dhe Drenas.
\"Janë identifikuar raste të daljes së 100% të gjithë votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve: 0309E/02. Gjithashtu janë evidentuar rreth 27 vendvotime në Drenas ku përqindja e daljes në votime ka qenë 90% të votuesve të regjistruar, ndërsa në Skenderaj gati të gjitha vendvotimet e kanë kaluar këtë shifër\".
Ai tha se ka bazë për të kërkuar anulimin e rezultateve në këto dy komuna dhe të kërkohet shpallja e rivotimit.
Sipas udhëheqësit të këtij koalicioni, Demokracia në Veprim i bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente kushtetuese që të ndërmarrin të gjitha masat e përcaktuara me ligj për të vënë në vend votën e lirë të qytetarëve.
Demokracia në Veprim vlerëson lartë punën e rëndësishme që kanë bërë vëzhguesit e këtij Koalicioni duke e ditur rrethanat jo të favorshme të cilat janë gjendur në disa nga Qendrat e votimeve në Kosovë, theksoi z. Kryeziu.