Durmishi ua kujton Mustafës e Maxhunit lidhjet me Serbinë
Prishtinë, 29 nëntor - Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të djeshme të Policisë së Kosovës, me çrast u arrestua deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe dhjetëra aktivistë tjerë të po këtij subjekti politik.
Durmishi, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se me një kryeministër që ishte bashkëpunëtor i Rrahman Morinës dhe me një komandant policie që është i biri i një punëtori të zellshëm të sigurimit serb, nuk mund të presësh tjetër gjë pos plumba e dhunë brutale kundër atyre që duan ti japin kuptim 28 Nëntorit.
Babai i Shpend Maxhunit, Enveri, në vitet e tetëdhjeta torturonte shqiptarët për flamur e plis të bardh. Të njëjtën po e vazhdon i biri i tij sot. As Rrahman Morina me Enver Maxhunin e me Isa Mustafën nuk arritën ti ndalin shqiptarët drejt aspiratave të tyre për liri, këtë nuk arriti ta bënte as Millosheviqi, ka thënë Durmishi.
Ai potencon se përpjekjet për liri e vetëvendosje nuk mund ti ndalin as sot i biri i Enverit të Serbisë e bashkëpunëtori i Rrahman Morines.
Nuk keni plumba e dhunë të shfrenuar që të mund ta ndalni vullnetin e popullit. Po ju vjen fundi dhe atë një fund i turpshëm, përfundon Durmishi.