18 Maj 2024

Dugolli e Sherifi në garë për ta përfaqësuar Kosovën në Beograd

Prishtinë, 7 janar - Në dy kandidatë është ngushtuar rrethi i emrave të ambasadorëve aktualë të Kosovës për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Beograd.

Një burim brenda Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar për “Epokën e re” se në garë për t’u emëruar zyrtar ndërlidhës i Republikës së Kosovës në Beograd kanë mbetur ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Ilir Dugolli dhe ambasadorja në Hungari, Shkëndije Sherifi, ndërsa nga lista është përjashtuar ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.

“Aktualisht lista është ngushtuar në dy kandidatë, nga tre sa kanë qenë më herët.

Në garë për t’u emëruar zyrtarë ndërlidhës i Republikës së Kosovës në Beograd kanë mbetur ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Ilir Dugolli dhe ambasadorja aktuale në Hungari, Shkëndije Sherifi. Kurse emri i ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, i cili ka qenë pjesë e diskutimit, është larguar”, ka thënë ky burim qeveritar.

Sipas të njëjtit burim, emërimi i zyrtarëve ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd pritet të bëhen publike pas takimit të 17 janarit në Bruksel ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiq.

“Kah mesi i janarit, ndoshta pas takimit të 17 shkurtit në Bruksel, pritet të bëhen publike emrat e dy ambasadorëve të cilët do të emërohen zyrtarë ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd”, ka thënë ky burim.

Më herët ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një konferencë për medie, kishte thënë se është duke punuar për përfundimin e një liste me tre emra, më pas do të vendoset për njërin nga ta.

Ai pati thënë se janë duke i shqyrtuar emrat e disa prej ambasadorëve të Republikës së Kosovës në vende të ndryshme të botës, të cilët edhe mund ta ushtrojnë funksionin e zyrtarit ndërlidhës të Kosovës në Serbi.

Kyrediplomati Hoxhaj ka thënë se i emëruari i Republikës së Kosovës në Beograd do të punojë në një zyrë të veçantë për Kosovën, apo në kuadër të hapësirës së ndonjë organizate ndërkombëtare, në këtë rast BE-së.

Sipas tij, edhe Kosova por edhe Serbia janë pajtuar që delegacionet e Bashkimit Evropian ta ofrojnë hapësirën në dispozicion.

“Kjo do të jetë një zyrë e ndërlidhjes së Republikës së Kosovës që do ta përfaqësojë dhe prezantojë Republikën e Kosovës në kryeqytetin serb në Beograd. Po ashtu, edhe Serbia do ta ketë zyrën e njëjtë në Kosovë.

Të dyja palët janë pajtuar që delegacionet e BE-së të ofrojnë hapësirën në dispozicion. Do të thotë, ne do të kemi aty jo vetëm një zyrë, por më shumë se një zyrë. Do të ketë një hapësirë të nevojshme në dispozicion”, pati thënë Hoxhaj.

Ndërkohë, për emërimin e zyrtarëve ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd ishte arritur pajtim në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)