Duan përcaktimin e vijës kufitare me Serbinë
Mitrovicë, 8 dhjetor - Banorët e brezit kufitar me Serbinë kanë kërkuar që të përfshihet në bisedime edhe problemi i pronave të tyre, të cilat që nga paslufta kanë mbetur matanë kufirit.
Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit Karaçevë të Kamenicës, thotë se do të ishte e pafalshme nëse delegacioni i Kosovës nuk e ka prioritet dhe nuk e trajton problemin e vijës kufitare në Karaçevë, raporton Koha Ditore.
Nëse këtë herë nuk precizohet vija kufitare dhe nëse edhe kësaj radhe nuk kushtëzohet Serbia që të heqë dorë nga pretendimi i saj territorial për t`i gllabëruar 400 hektarë tokë, atëherë Karaçeva do të shndërrohet në konflikt të përhershëm dhe vend që do të përshkruhet me dhunë e ndërhyrje të xhandarmërisë serbe në brendi të territorit të Kosovës, thotë Lenjani.