DSK: Dënimi i 11 shqiptarëve të Luginës, vendim politik
Prishtinë, 22 shtator - Demokracia Sociale e Kosovës (DSK) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë, sipas të cilit, u dënuan me 116 vjet burgim 11 shqiptarë të pafajshëm të Luginës së Preshevës, të njohur ndryshe edhe si Grupi i Gjilanit, me pretekstin e shpifur për krime të luftës.
Demokracia Sociale e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie këtë vendim e ka konsideruar tërësisht politik. Demokracia Sociale e Kosovës është shprehur e shqetësuar me vendimin që ka marrë Gjykata në Beograd ndaj 11 shqiptarëve të pafajshëm të Luginës së Preshevës. Demokracia Sociale e Kosovës vlerëson se ky vendim ishte tërësisht politik dhe i padrejtë.
Demokracia Sociale e Kosovës kërkon nga Komuniteti Ndërkombëtar ti bëjë presion Serbisë të heqë dorë nga këto politika diskriminuese, metoda këto të kohës së dikurshme të regjimit famëkeq të Millosheviqit. Demokracia Sociale e Kosovës fton mekanizmat kompetentë ndërkombëtarë të ndërhyjnë sa më parë në shfuqizimin e këtij vendimi dhe në lirimin e 11 shqiptarëve të pafajshëm. Ky vendim është një provokim i rëndë dhe i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë shqiptare në Luginë të Preshevës, është thënë në komunikatën e DSK-së.