Drejtori i ri shfrytëzoi RTK-në për projekte private
Prishtinë, 27 janar - Integrimet Plus është një OJQ e themeluar më 2004 nga Mentor Shala e Mufail Limani. Ata kanë pozitat kyç në RTK i pari drejtor i përgjithshëm e i dyti kryeredaktor i televizionit.
Shumë projekte të organizatës, të financuara nga donatorë të ndryshëm, janë implementuar brenda televizionit. Projektet ishin të larmishme nga shpërndarja e kondomëve, deri te promovimi i integrimeve evropiane.
Qeveria ia ka ndarë këtë numër regjistrimi organizatës: 5110014-3. Bazuar në Statutin e kësaj organizate, përfaqësues i autorizuar i saj në Kosovë është Mentor Shala, shkruan Koha Ditore.
Gazeta nuk ka mundur të marrë një informatë nga Shala nëse vazhdon të jetë përfaqësues akoma, apo nëse vazhdon të realizojë projekte me organizatën. Prej dy ditësh ai nuk u është përgjigjur telefonatave as kërkesave për prononcim, që i janë bërë në nëpërmjet porosive të shkruara.
As Limani nuk u është përgjigjur telefonatave.
Një shkresë që ka siguruar gazeta tregon se si Limani autorizon Shalën që të nënshkruajë të gjitha dokumentet në emër të OJQ Integrimet plus. Këtu përfshihen marrëveshjet e OJQ-së me ndonjë palë tjetër, regjistrimi i automjeteve të OJQ-së, dhe të gjitha dokumentet e tjera që kanë të bëjnë me këtë OJQ.