Drejtësia Sot shpalos Mekanizmin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve
Prishtinë, 30 korrik - Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizoi gjatë ditës së sotme, Konferencën për Media në të cilën u shpalosën të gjeturat e analizës “Natyra e çështjeve disiplinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës dhe funksionimi i mekanizmit disiplinor”.
Në këtë analizë, Drejtësia Sot pasqyron mënyrën e funksionimit të mekanizmit disiplinor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (më tutje KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (më tutje KPK) nga momenti i hyrjes ne fuqi të Ligjit Nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (më tutje LPD) e deri në muajin maj të vitit 2021.
Për më tepër, ky raport përmban analizimin e Ligjit të lartcekur dhe rregulloreve të KGJK dhe KPK për procedurën disiplinore duke trajtuar në detaje përparësitë dhe mangësitë e tyre. Kujdes i veçantë në këtë drejtim i është kushtuar edhe të dhënave statistikore në lidhje me zhvillimin e procedurave disiplinore ndaj gjyqtarëve në KGJK dhe ndaj prokurorëve në KPK nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit të ri për procedurën disiplinore.