Drejtësia në kthetrat e PDK-së

Prishtinë, 7 gusht - Sipas analistit Ragip Guraziu,Gjykata Kushtetuese është mjet pushteti i PDK-së, por edhe i Qeverisë aktuale.
\"Enver Hasani në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë Kushtetutën mjet pushteti. Po ky pushtet është munduar që të fshihej lënda hetimore ndaj Enver Hasanit, ish-kryegjyqtarit të Kushtetutës së Kosovës\".
\"Dardha ka bisht, thotë populli. Këtu mund të bazohemi se edhe për lëndët tjera së bashku me ato të ishkryegjyqtarit të Kushtetueses, Enver Hasanit, është bërë tentim për t\'i fshehur njëherë e përgjithmonë, kur kishim kryeprokurorin (Ismet Kabashin) servilin tjetër të kësaj Qeverie aktuale dhe këtij shteti që po jetojmë\", thotë analisti Ragip Guraziu
Fshehja e dosjeve hetimore në sirtarët e Prokurorisë tashmë është fakt. Ky realitet vërtetohet më së miri nga aktakuza që pak ditë më parë u ngrit nga Prokuroria Speciale në drejtim të ish-kryegjyqtarit të Kushtetueses, Enver Hasani.
I njëjti më herët ishte në listën e personave që ishin përgatitur për të udhëhequr Prokurorinë e shtetit, pavarësisht se nuk i plotësonte kriteret për t\'u zgjedhur në një post të tillë.
Madje, për këtë, sipas një zyrtari të Ambasadës Amerikane (staf vendor), ka pasur dijeni edhe diplomacia amerikane e akredituar në Kosovë, të cilët e kanë parë të gjithë situatën në distancë pa ndërhyrë. Sipas të njëjtit, skenari ishte që në krye të Prokurorisë së shtetit të zgjidhej Enver Hasani, i cili kishte dhe mbështetjen politike, por në fakt me mediatizimin që u bë, dështoi.
Më herët në Prokurorinë e shtetit, por edhe në KPK, është folur që ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka qenë një nga mbështetësit e Enver Hasanit për kryeprokuror të shtetit.
Në këto rrethana, pyetja shtrohet se a po tentohej që Hasni të zgjidhej në krye të PSH -së për të mbyllur lëndët që ishin në ngarkim të tij, por edhe në ngarkim të personave të politikës?
Analistët nuk e përjashtojnë këtë mundësi, ndërsa i referohen punës së Enver Hasanit në krye të Kushtetueses dhe lidhjes së tij me politikën.
/Kosova Sot/