Do të dalim forca e parë politike
Prishtinë, 14 maj - Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka thënë se ky subjekt politik garon në zgjedhjet e 8 qershorit për të fituar dhe për të dalë forca e parë politike në vend.
Në këtë intervistë për Epokën e re, ai ka deklaruar se kohët e fundit kanë mbajtur takime të shumta nëpër të gjitha komunat, duke prezantuar alternativën e tyre qeverisëse. Sipas tij, të gjitha qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje! i janë nënshtruar ristrukturimit dhe mobilizimit të përgjithshëm, i cili ka sjellë bashkimin e shumë njerëzve që e kanë forcuar organizimin e kësaj lëvizje.
Në muajt e fundit kemi mbajtur takime gjithandej nëpër Kosovë, ku kemi shpalosur alternativën tonë qeverisëse, të cilën e kemi publikuar për herë të parë në gusht të vitit 2013. Po ashtu, të gjitha qendrat e Lëvizjes i janë nënshtruar ristrukturimit dhe mobilizimit të përgjithshëm pas zgjedhjeve lokale, me çrast kemi pasur bashkimin e shumë njerëzve që na kanë forcuar organizimin, ka thënë Konjufca.
Ai ka deklaruar se besimin në fitore e mbështet në ofertën e kësaj lëvizje, e cila, sipas tij, do ta bëjë shtetin dhe ta sigurojë mirëqenien ekonomike. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! është i vetmi subjekt politik që ka vizion, koncept, program dhe alternativë qeverisëse.
Jemi alternativë për Kosovën. Partitë përgjithësisht i kemi parë në qeverisje herë veç e veç herë dy nga dy. Ato kanë qeverisur në mungesë kompetence, pa program të qartë, me korrupsion marramendës, me familjarizim. Mund ta shihni se si e kanë katandisur Kosovën, qoftë në nivel lokal qoftë në atë qendror, është shprehur Konjufca.
Duke folur për alternativën qeverisëse të këtij subjekti politik, e cila përbëhet nga 20 kapituj dhe bazohet në shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social, Konjufca ka thënë se në të janë shpalosur 11 tema të cilat janë esenciale për ndryshimin e madh në Kosovë.
Sa i përket listës për deputet, ai ka treguar se pjesë e kësaj liste do të jenë edhe individë të ri, por me koncepte të njëjta, duke mos qartësuar nëse përsëri do të bëhet renditja në bazë të alfabetit.
Në listën tonë do të ketë fytyra të ndryshme, por të të njëjtit koncept. 3/4 e listës do të jenë propozime nga qendrat, ndërkaq ¼ janë propozime të kryetarit. Lista do të votohet dhe miratohet nga Këshilli i Përgjithshëm si organi më i lartë i Lëvizjes. Renditja e kandidatëve në listë do të përcaktohet nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje!, ka thënë Konjufca.