DnV: Procesi zgjedhor ishte i qetë
Prishtinë, 13 qershor - Demoracia në V eprim konsideron se zgjedhjet e 11 qershorit 2017 kanë qenë të qeta dhe nuk janë prekur nga shkelje të rënda dhe të dhunshme, të cilat mund ta minonin besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Sipas DnV-së, përjashtim bënë periudha e fushatës zgjedhore në komunat me shumicë serbe, ku atmosfera e fushatës ka qenë e tensionuar dhe votuesit janë ndjerë të frikësuar. Po ashtu, në këto komuna dita e zgjedhjeve ka qenë e mbikëqyrur nga forca të shtuara të sigurisë.
Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur incidente serioze, por nga vëzhguesit tanë janë regjistruar disa parregullsi gjatë votimit, siç janë: i) Cenimi i fshehtësisë së votimit që është shprehur përmes votimit familjar, i njëjti person ka asistuar më shumë se njëherë, si dhe votimi jashtë kabinave të votimit. ii) Dyshimi për krijim të varësisë ekonomike ndaj votuesve është shprehur përmes fotografimit të fletëvotimit. iii) Keqpërdorim i së drejtës së votimit që është shprehur përmes tentimit për të votuar më shumë se njëherë. iv) Presion i mundshëm ndaj votuesve që mund të interpretohet nga prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit apo vendvotime, i cili ka qenë mjaftë i lartë në orët e paradites. v) Privim i së drejtës së votimit për personat me aftësi të kufizuar për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate për qasje në të gjitha vendvotimet.
Pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet element negativ në të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë, përfshirë zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Përkundër disa përpjekjeve institucionale për ta pastruar listën e votuesve nga personat e vdekur, shumë nga ta vazhdojnë t’i kenë emrat në listë.
Votuesit nga jashtë kanë hasur në vështirësi për të aplikuar për regjistrim për të votuar me postë. Fushata e informimit të votuesve nga jashtë ka filluar shumë vonë dhe nuk janë dhënë udhëzime të mjaftueshme. KQZ-së nuk ka qenë e përgatitur për të përballuar trafikun e aplikimeve, duke shkaktuar dështim të serverëve dhe si rrjedhojë iu është pamundësuar votuesve e drejta e votës. Reforma zgjedhore duhet të adresoj këtë problem duke eliminuar barrierat e panevojshme dhe thjeshtësuar procedurat.
Numri i lartë i fletëvotimeve të pavlefshme është shqetësues, veçanërisht kur marrim në konsideratë faktin që ka trend të rritjes së këtyre fletëvotimeve, përkundër që sistemi zgjedhor ka mbetur i njëjtë. KQZ duhet që sa më parë të bëjë hulumtimin dhe analizimin e shkaqeve që kanë çuar në rritjen e numrit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përmes hapjes së kutive. Menjëherë duhet të ndërmerren masat e nevojshme për t’i adresuar më seriozisht problemet e identifikuara. Mbi të gjitha, KQZ duhet të bëjë përpjekje të shtuara për të edukuar dhe informuar votuesit për mënyrën e votimit, me qëllim të zvogëlimit të votave të pavlefshme.
Fenomen i ri në këto zgjedhje ka qenë akreditimi i një organizate jo-qeveritare e cila nuk është tatimpagues aktiv edhe nuk ka përvojë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Numri i madh i vëzhguesve të akredituar nga kjo organizatë ka ngritur dyshime për mision e tyre dhe lidhje me subjekte të caktuara politike.