DnV: Numërimi të reflektojë procesin e deritanishëm të votimit
Prishtinë, 17 tetor - Koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) ka deklaruar se procesi i sotëm i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, me pjesëmarrje të qytetarëve që garanton legjitimitet të procesit.
Gjatë ditës nuk është raportuar për ndonjë incident që do të mund t’a cenonte integritetin apo kredibilitetin e zgjedhjeve.
"Në përmbyllje të procesit të votimit, nuk është evidentuar ndonjë fluks i votuesve duke pritur në radhë për të votua dhe nuk është raportuar për ndërprerje të procesit të votimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike", thekson DnV.
Në raste të izoluara, posaçërisht në zonat rurale sipas DnV-së janë vërejtur persona të paautorizuar në hyrje apo afërsi të qendrave të votimit, që mund të shihen si ushtrim i presionit ndaj votuesve.
Në këto zona, po ashtu është vërejtur nivel më i ulët i respektimit të masave anti-COVID, si nga votuesit ashtu edhe nga stafi zgjedhor.
Megjithatë, edhe pse në pjesën e pare të ditës qytetarët dhe komisionerët ishin më të disiplinuar në respektimin e masave, gjatë gjysmës së dytë të ditës ka pasur rënie të nivelit të respektimit të këtyre masave.
Gjatë procesit të votimit sipas DnV-së janë evidentuar raste të shumta të votimit me dokumente me afat të skaduar.
Kjo mund të jetë rezultat i vendimit të fundit të MPB-së dhe KQZ-së për lejimin e votimit me dokumente të skaduara.
Votimi me asistencë edhe në këtë proces ishte një prej fenomeneve më të shprehura, pothuajse në secilin vendvotim në nivel vendi.
Në mbi 50% të vendvotimeve numri i rasteve të votimit me asistencë sillet nga 10 deri në 50 raste.
Kurse sipas DnV-së nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është regjistruar fare, edhe kur janë parë votues të grupmoshave të reja të cilëve u është ofruar asistencë.
"Vështirësitë në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve kanë qenë të shprehura gjatë gjithë ditës, në pjesën më të madhe të vendvotimeve. Kjo mund të ketë ardhur edhe si pasojë e shtimit të numrit të qendrave dhe vendvotimeve nëpër komuna të caktuara", pohon DnV.
Vlen të theksohet se në këtë proces zgjedhor rastet e fotografimit të votës kanë shënuar rënie të ndjeshme, krahasuar me proceset paraprake zgjedhore, ku ky fenomen ka qenë shumë i shprehur.
Me gjithë avancimet e procesit në përgjithësi, qasja e personave me aftësi të kufizuar fizike vazhdon të mbetet e pa adresuar, meqë rast janë raportuar raste kur votuesit e kësaj kategorie e kanë pasur të pamundur qasjen fizike në vendvotimet e tyre.
Kjo vlen edhe për qytetarët në moshë të shtyrë, të cilët në disa raste kanë hasur në vështirësi për të votuar në qendra që kanë më shumë se një kat.
Tashmë kur pritet të fillojë procesi i numërimit, DnV bën thirrje për kujdes dhe vëmendje të shtuar nga ana e stafit zgjedhor në këtë proces, sidomos duke ditur që kjo fazë ka qenë ndër hallkat më të ndjeshme të proceseve të kaluara.
Gjithashtu, kërkojmë edhe nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre që të përmbahen nga deklaratat apo festimet deri në shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja.