27 Dhjetor 2024

DnV: Nis procesi i votimit, 3% e vendvotimeve hapen me vonesë

Prishtinë, 14 shkurt - Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor bazuar në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave.

Ismet Kryeziu nga DnV ka bërë te ditur se gjithsej 500 vëzhgues statikë janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.

Vëzhguesit sipas tij gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit.

Hapja e vendvotimeve

Kryeziu ka njoftuar se në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2382 vendvotime dhe sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve.

''Vonesat kryesisht ndërlidhen me mungesën e materialeve zgjedhore si: mungesa e zarfeve të fletëvotimeve me kusht në 6% të vendvotimeve, vulat, Lista e Votuesve, UV llampa, si dhe Spreji kanë munguar në 3% të vendvotimeve'', ka thënë Kryeziu.

Prania e materialit propagandues

Heshtja zgjedhore 24 orë para ditës së zgjedhjeve u mundëson votuesve që të reflektojnë lirshëm mbi preferencat e tyre partiake dhe i kontribuon një ambienti të lirë zgjedhor. Prezenca e materialeve propaganduese të subjekteve politike në ditën e zgjedhjeve mund të shihet si ndikim në përcaktimin e votës së tyre për subjektin e caktuar.

Vëzhguesit e DnV-së,  kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vetëm në 1% të Qendrave të Votimit.
 
Votimi në kushte të pandemisë

Për të garantuar respektimin e masave parandaluese kundër COVID19 të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, KQZ ka dizajnuar posterë që përbajnë udhëzime të detajuara dhe të qarta, të cilave qytetarët duhet t’u përmbahen gjatë procesit të votimit në mënyrë që t’a ruajnë shëndetin e tyre (psh.

Vendosja e maskës, mbajtja e distancës dhe dezinfektimi i duarve). Sidoqoftë, DnV ka evidentuar që këta posterë nuk janë vendosur në 5 % të Qendrave  të Votimit.

Poashtu, është evidentuar se komisionerët në 97% të vendvotimeve janë të pajisur me pajisje mbrojtëse (maska 97%, dorëza  59%, dezinfektues 94 %).

Qasja e personave me aftësi të kufizuar në Qendra të Votimit

E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim.  

Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim.

Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuar fizike.

Është raportuar se 30% e Qendrave të Votimit  në nivel vendi nuk kanë infrastrukurë adekuate për qasje të personave me aftësi të kufizuara.

Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve
Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht garancive ligjore dhe kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile për pjesëmarrje të barabartë.
 
Pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime është 31%, më e ulët se në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2019-tës që ishte 35%. Ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale të 2017-tës, ishte 29 %.
 
DnV fton të gjithë qytetarët dhe akterët tjerë pjesëmarrës në zgjedhje që gjatë procesit të votimit t’u përmbahen në mënyrë strikte rregullave për parandalimin e përhapjes së COVID19 siç është bartja e maskës në mënyrë të duhur, respektimi i distancës sociale apo mosgrumbullimi i panevojshëm dhe dezinfektimi i duarve.
 
Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për  vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 Shkurtit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)