DnV ndanë çmimet për pesë videot më të mira të garës #AsUne
Prishtinë, 8 qershor - Në prag të ditës së zgjedhjeve, sot në amfiteatrin e qytetit në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, ka bërë ndarjen e pesë çmimeve për pesë videot më të mira që janë dërguar nga të rinjtë e që kanë spikatur mesazhet e tyre për fushatën #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar.
Gara kishte për qëllim të nxisë të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi për të dhënë këndvështrimet e tyre personale mbi atë se përse nuk do të votonin për kandidatë të korruptuar?.
Në garë ishin gjithsej 27 video dhe juria në përbërje prej përfaqësuesve të Demokracisë në Veprim kanë zgjedhur pesë videot më të mira të realizuara nga: Albulena Uka, Besfort Berisha, Egzona Shabani, Faik Mziu dhe Tringa Alidemi.
Në hapje të kësaj ceremonie, Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, theksoi se qëllimi i iniciativës qytetare #AsUne nuk do të votojë për kandidatët e korruptuar, është që të nxisë pjesëmarrjen qytetare në procesin e votimit dhe përmes angazhimit dhe votës së tyre të refuzojnë tolerancën ndaj korrupsionit dhe kandidatëve të cilët janë të përfshirë në afera korruptive.
Kjo votë do të ndikojë në rritjen e integritetit politik për përfaqësim më të denjë dhe llogaridhënës, ka thënë ai.
Kurse shefja e BE-së njëherësh përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, me këtë rast ka theksuar:
\"Tё dielën ju do t\'i zgjedhni pёrfaqёsuesit tuaj tё rinj nё Kuvend. Ky ёshtё njё rast kur do tё mund tё ndikoni drejtpёrdrejt nё tё ardhmen e Kosovёs, tё ardhmen e fёmijёve tuaj. Shfrytёzojeni kёtё rast. Mos lejoni qё tё tjerёt tё vendosin pёr ju. Dilni dhe votoni. Kjo ёshtё esenca e demokracisё. Vendimet mirren nga ata qё dalin tё votojnё. Vota e secilёs grua dhe secilit burrё ka vlerё, ka thënë ajo.
Ndërsa ambasadori Shteteve të Bashkuara në Kosovë z. Greg Delawie, ka thënë se dalja në zgjedhje është tejet e rëndësishme, dhe unë e ftoj secilin qytetar anekënd Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje.. Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës, ka thënë ai.
Ndarja e çmimeve për pesë videot më të mira u bë nga shefja e BE-së në Kosovë, znj.Apostolova, ambasadori amerikan në Kosovë, z.Delawie dhe tre aktivistë e mbështetës të zëshëm të fushatës #AsUne: alpinistja Arineta Mula dhe gazetarët e publicistët: Astrit Gashi e Imer Mushkolaj.
Aktivitet e DnV-së në kuadër të fushatës #AsUne mbështeten nga USAID, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës, DANIDA.