Dnv ka angazhuar në teren 1600 vëzhgues
Prishtinë, 3 nëntor - Koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim është duke monitoruar procesin zgjedhor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Dnv për monitorimin e këtij procesi ka të angazhuar në teren 1600 vëzhgues si dhe disa ekipe mobile.
Monitoruesit tanë deri më tani kanë paraqitur të dhënat si në vijim:
Fillimi i rrjedhës së votimit: Të dhënat nga terreni na tregojnë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në gjithë vendin, në përjashtim të një vendvotimi të qendrës 1908e në Prishtinë, i cili është hapur me 1 orë vonesë, si dhe në disa qendra tjera është raportuar se janë hapur me vonesë prej 10-20 minutash.
Mbarëvajtja e procesit të votimit:
Në Prishtinë në qendrën e votimit 1907e 02/d një votues ka votuar dy herë, si dhe në po të njëjtën qendër janë raportuar probleme me llambën ultravjollcë;
Në Kaçanik në qendrën 0307/d, 02, vëzhguesi i PDK-së ka shqelmuar kutinë e votimit duke e penguar procesin e votimit. Pas raportimit nga ana e menaxherit të qendrës personi në fjalë është arrestuar.
Mungesa e komisionerëve në vendvotime është raportuar në:
Në Rahovec në qendrën e votimit në Hoqë të Madhe- mungojnë dy komisionerë,
Në Gjilan në qendrën në Shkollë Iliria janë të pranishëm vetëm 3 komisionerë. Në hapësirat e po kësaj qendre është raportuar për prezencë të materialit propagandues.
Në Mitrovicë në qendrën e votimit 1102, në njërin vendvotim janë të pranishëm vetëm 3 komisionerë.
Në Malishevë , përkatësisht në fshatin Turjakë në qendrën e votimit 3046/ 01 janë raportuar raste të vulosje nga dy herë të fletëvotimeve.
Në Gjilan në qendrën e votimit në shkollën Musa Zajmi në vendvotimin 0402 x/04r shiritat e kutive kanë qenë të vendosur por jo të mbyllur deri në orën 9:00. Në po këtë qendër në vendvotimin 02/R, është identifikuar një person i cili ka nënshkruar në dy rubrika.
Në Gjakovë në qendrën 0204 c-03c në Shkollën Mazllum Këpuska, është raportuar për prezencë të materialit propagandues të subjektit politik AAK.
Në Gjilan në shkollë Mehmet Isai në qendrën 0403x /05r është raportuar për prezencë të materialit propagandues të subjektit politik të LDK-së.
Në Gjakovë në qendrën 0209c /02, kryesuesi i Vendvotimit ka dhënë dorëheqje. I njëjti është zëvendësuar me një person tjetër.
Sipas vëzhguesve të DnV-së, situata në veri është përgjithësisht e qetë. Megjithatë kemi raport se në disa qendra të votimit, qëndrojnë persona të pa-autorizuar të cilët kërcënojnë votuesit, vëzhguesit dhe anëtarët e këshillave të vendvotimit.
Në disa vendvotime është raportuar se ka më pak Fletëvotime sesa që është numri i votuesve në listën e votuesve, por duhet thënë se për këtë çështje ka një vendim paraprak të KQZ-së.
Demokracia në Veprim i bënë të thirrje gjithë votuesve që të dalin në zgjedhje për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese.