DnV: Gjithçka gati për votim të rregullt e të sigurt
Prishtinë, 17 tetor - Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 110 vëzhgues nëpër qendra të votimit në nivel vendi. Vëzhguesit gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit.
Të gjithë 1.885,448 qytetarët që në këto zgjedhje kanë të drejtë vote, gjatë ditës së sotme do të mund të votojnë në 883 Qendra të Votimit, përkatësisht 2477 vendvotime, në komunat e tyre respektive.
80% e Qendrave të Votimit janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike ndërsa nuk është hasur në materiale propaganduese në perimetër prej 100m nga QV.
Sipas vëzhgueseve, 96% të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID në fuqi janë vendosur në 95% të QV në nivel vendi.
Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionerët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 95% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 50%.
Siguria e procesit zgjedhor është duke u garantuar nga Policia e Kosovës, e cila është prezente në hyrje të pothuajse të gjitha Qendrave të Votimit.