20 Janar 2025

DnV: Fushata nis para kohe - Resurset publike në shërbim të saj

Prishtinë, 26 maj – Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim”, ka organizuar konferencën e parë për media lidhur me procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Sikurse në zgjedhjet e mëhershme, koalicioni i organizatave jo-qeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), është duke vëzhguar procesin e përgatitjeve zgjedhore, përfshirë punën e organeve menaxhuese të zgjedhjeve dhe fushatën e subjekteve politike.

DnV ka angazhuar tanimë 60 vëzhgues afatgjatë të cilët janë duke përcjell parafushatën e subjekteve politike garuese, punën e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) si dhe janë angazhuar për rekrutimin e vëzhguesve që do të bëjnë monitorimin e ditës së zgjedhjeve.

Petrit Zogaj, anëtar i bordit të Demokracisë në Veprim paraqiti vlerësimet e koalicionit të OJQ-ve, lidhur me aktivitetet e gjertanishme të subjekteve politike duke i cilësuar ato si parafushatë.

DnV vlerëson se subjektet politike nuk janë duke respektuar Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme dhe vendimin e KQZ-së për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore.

DnV konsideron se fillimi i aktiviteteve elektorale të subjekteve politike para fillimit zyrtar të fushatës elektorale, paraqet abuzim me paqartësitë ligjore që ka legjislacioni aktual zgjedhor, duke mos i saktësuar masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre subjekteve që fillojnë aktivitete të fushatës elektorale ende pa filluar zyrtarisht ajo, tha më tej Zogaj.

Zogaj po ashtu tha se DnV shprehë shqetësimin e saj lidhur me shfrytëzimin e resurseve publike për qëllime elektorale. Një praktikë e tillë po aplikohet me theks të veçantë nga ana e subjekteve politike që janë në pushtet, edhe pse kjo çështje është e ndaluar me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar se në disa qytete, punëtorët e administratës publike gjegjësisht shërbyesit civil kanë ndërprerë punën me qëllim të pjesëmarrjes së tyre në një aktivitet elektoral të caktuar. Një veprim i tillë duhet të ndërpritet sepse bie ndesh me ligjet e aplikueshme në vend, shtoi më pas Zogaj.

Përfaqësuesit e DnV-së po ashtu paraqitën vlerësimet e tyre edhe për punën e KQZ-së, institucion i cili ka mandat organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor. 

Duke folur për punë e këtij institucion, Zogaj tha se: DnV në vazhdimësi ka monitoruar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe gjatë periudhave zgjedhore edhe punën e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ).

Monitoruesit e Demokracisë në Veprim gjerë më tani nuk hasur në ndonjë parregullësi apo shkelje ligjore sa i përket zbatimit të planit operacional nga ana e KQZ-së.

Përderisa DnV është plotësisht e përkushtuar që paraja publike mos të keqpërdoret, ndërprerja e informimit publik vetëm disa ditë para ditës së zgjedhjeve nuk është në dobi të procesit zgjedhor. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e kaluara ka pasur mbi 10% të votave të pavlefshme dhe kjo kryesisht ka ardhur si rezultat i mungesës së informatave që votuesit kanë pasur për atë se si të votohet.

Në këtë aspekt, DnV kërkon nga OSHP që të trajtojë këtë rast me prioritet dhe të gjendet një zgjidhje për informimin e votuesve në mënyrë urgjente, tha Zogaj. 

Më tutje Zogaj shtoi se vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë vërejtur që në dy mbledhjet e fundit të KQZ-së nuk ka qenë e pranishme Kryetarja e këtij institucioni znj. Valdete Daka.

Duke e pasur parasysh që data e zgjedhjeve është shumë afër dhe që znj. Daka është i vetmi person apolitik në përbërjen e KQZ-së, atëherë inkurajojmë znj. Daka që të jetë më pro-aktive gjatë procesit të zgjedhjeve dhe të jetë e rregullt në takimet e KQZ-së.

Shqetësim për DnV, sipas Zogajt paraqesin edhe disa nga Komisionet Komunale Zgjedhore të cilat nuk janë duke organizuar takime formale sipas obligimeve ligjore që sjell Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Bazuar në informatat e vëzhguesve të DnV-së, takimet e disa KKZ-ve mbahen spontanisht dhe në ambiente jashtë institucionale. 

Mungesa e informatave për kohën e takimeve, mungesa e procesverbaleve si dhe mungesa e kopjeve të vendimeve të marra, ka bërë që qytetarët e Kosovës të mos kenë informata lidhur me aktivitete në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve nga organet kompetente lokale si vartëse të KQZ-së, shtoi më tutje Zogaj.

Thirrje për përgjegjësi të KQZ, DnV kishte edhe për trajnimet e komisionarëve, duke kërkuar nga KQZ që të bëjë një monitorim më rigoroz nëpër komuna dhe mos të lejojë që të punojnë në ditën e zgjedhjeve ata komisionerë që nuk i vijojnë trajnimet.

Në bazë një raporti të publikuar nga vetë KQZ, së paku 4% nga totali i votave të shpallura si të pavlefshme në zgjedhjet e kaluara kanë qenë të vlefshme.

Në këtë aspekt një pjesë të përgjegjësisë duhet të marrin edhe vetë partitë politike që nominojnë për komisionerë persona që nuk kanë aftësitë e duhura që t’a kryejnë një punë të tillë, deklaroi Zogaj .

Në fund të deklaratës së tij Zogaj u bëri thirrje subjekteve politike që me qëllim që fushata zgjedhore të zhvillohet në atmosferë të qetë dhe konkurruese, që t’i respektojnë të gjitha aktet normative që rregullojnë sjelljen e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.

DnV- gjithashtu i bën thirrje KQZ-së që ti kushtojë rëndësi të veçantë procesit të trajnimit të komisionerëve, duke i ofruar atyre trajnime sa më profesionale në mënyrë që të garantohet procesi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve tha në fund Zogaj.


Nga ana tjetër Valmir Ismaili, nga sekretariati i  DnV-së, prezantoi planin e këtij koalicioni të OJQ-ve , lidhur me vëzhgimin e aktiviteteve të “para-fushatës”, fushatës elektorale,  përgatitjet për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së dhe monitorimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve.

Sipas Ismailit, DnV për monitorimin e aktiviteteve të parafushatës dhe fushatës elektorale ka angazhuar  rreth 90 vëzhgues afatgjatë, nga të cilët 30 do të jenë nga organizatat me nevoja të veçanta.

Kurse gjatë ditës së zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 2,800 vëzhgues, prej tyre 350 do të jenë nga organizatat e personave me nevoja të veçanta.

Për herë të parë Demokracia në Veprim ka bërë partneritet zyrtar me Handikos që personat me aftësi të kufizuar të jenë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve në një shkallë më të gjerë.

Këta vëzhgues do ta përcjellin fushatën zgjedhore dhe rrjedhën e votimit, ku theks të veçantë do ta kenë mundësitë që institucionet për administrimin e zgjedhjeve u ofrojnë kësaj kategorie për realizimin e të drejtës demokratike për të votuar, shtoi më tej Ismaili.

Ai më pas shtoi se, DnV gjithashtu do ti ketë të angazhuar rreth 130 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe marrjes së rezultatit.


Edhe në këtë proces elektoral Demokracia në Veprim në partneritet me Fondacionin SOROS,  do të ofrojë qytetarëve mundësinë që përmes SMS falas të dërgojnë mesazhe për parregullsitë që hasin gjatë procesit zgjedhor në numrin: 500 88, tha në fund Ismaili.

Gjatë fushatës parazgjedhore DnV do të dalë me konferenca për shtyp për të cilat mediat do të lajmërohen me kohë.

Vëzhgimi i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës mbështetet financiarisht nga USAID, IFES, Ambasada e Norvegjisë në Kosovë dhe Fondacioni SOROS.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)