Djegia e kurorave të tre dëshmorëve të demokracisë, akt i shëmtuar
Prishtinë, 7 tetor - Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega e Drenasit, reagon ashpër ndaj aktit të shëmtuar të djegies së kurorave të tre dëshmorëve të demokracisë: Enver Morina, Shani Morina e Sahit Shala.
Ky akt i njerëzve të papërgjegjshëm nuk do ta zbehë figurën e dëshmorëve, të cilët ranë heroikisht më 31 janar të viti 1990 në përleshje ballë për ballë me policinë serbe në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, në protestat gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci.
Me këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës në Drenas, duke dënuar këtë akt jocivilizues, u bën edhe një herë thirrje institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës që ta rregullojnë statusin e dëshmorit për këta tre të rinj, ngase familjarët e tyre janë thellësisht të indinjuar dhe të prekur për anashkalimin e tyre dhe mosnjohjen e statusit të familjes së dëshmorit.