Ditën e Pavarësisë, Kuvendi do të mbajë seancë solemne
Prishtinë, 8 shkurt - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës bashkë me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, përcaktoi rendin e ditës së seancës së Kuvendit, e cila do të mbahet më 11 shkurt. Në shenjë të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi do të mbajë seancë solemne, (në dyvjetorin e saj), më 17 shkurt.
Pas kohës së pyetjeve parlamentare, në seancën e 11 shkurtit do të shqyrtohen për herë të parë pesë projektligje: Projektligji për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Projektligji për Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, Projektligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe Projektligji për mbrojtjen nga rrezatimi jo-jonizues, jonizues dhe siguria nukleare. Ndërsa, në shqyrtim të dytë të kësaj seance do të jenë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për duhanin 02 L-36, Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe Projektligji për turizëm dhe shërbime turistike.
Në vijim Kryesia shqyrtoi edhe disa mocione dhe rekomandime. Në rendin e ditës së seancës do të jetë Rekomandimit i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi lidhur me propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për plotësimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, propozimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e anëtarit të Komisionit për Kërkesa Pronësore.
Ndërkaq, Rekomandimi i Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë Transport dhe Telekomunikacion, për Strategjinë e energjisë për periudhën 2009-2018, do të radhitet në ndonjë seancë të ardhshme të Kuvendit. Sa i përket mocionit të deputetit Riza Smaka për të udhëzuar Qeverinë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-129 për zonat ekonomike, u tha se për këtë kërkohet mendimi i Qeverisë.
Kryesia u njoftua edhe me Rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media lidhur me moszbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës. Ky rekomandim, u tha se duhet t i dërgohet Qeverisë. Në mbledhje u konstatua se një anëtari të Komisionit të Konkurrencës dhe një të atij të Rregullatorit të Energjisë u ka skaduar mandati, ndaj Qeveria duhet të bëjë propozimet për anëtarë të rinj.
Kryesia u njoftua edhe me vendimin e presidentit të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e tre deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me njoftimin për formimin e grupit të ri parlamentar Për Integrime.
Ndërsa sa i përket , kërkesës së grupit të ri parlamentar Për Integrime, për përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit, u theksua se për këtë veprohet sipas dispozitave kushtetuese, ndërkaq, sa i përket përfaqësimit të këtij grupi parlamentar në komisionet parlamentare, me këtë merret administrata në bashkëpunim me grupet parlamentare.