Diskutohet zgjerimi i bashkëpunimit Kosovë - Belgjikë
Prishtinë, 25 prill - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim një delegacion deputetësh nga Parlamenti i Belgjikës, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Duke i falënderuar për mbështetjen e madhe të Belgjikës ndaj Kosovës, Hoxhaj i ka njoftuar deputetët në lidhje me zhvillimet në vend dhe përpjekjet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ministri Hoxhaj po ashtu i ka falënderuar deputetët belgë për mbështetjen e madhe të Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, ndërkaq ka kërkuar mbështetje për aplikimet e tjera që do ti bëjë Kosova në disa organizata këtë vit.
Në këtë takim u diskutua nevoja për zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Mbështetja e Belgjikës për Kosovën në shumë fusha ka qenë shumë e rëndësishme për ne dhe shpresojmë që kjo mbështetje të vazhdojë të zgjerohet në proceset në vijim. Jemi shumë të interesuar që marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ti zbërthejmë në bashkëpunim të mëtutjeshëm mes dy vendeve, ka deklaruar Hoxhaj.