20 Janar 2025

Diskutohet zbatimi i deklaratës për partneritet mes Kuvendit dhe OJQ

Prishtinë, 29 prill - Organizuar nga Kuvendi i Kosovës dhe mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, sot në Hotelin “Sirius” në Prishtinë është mbajtur tryeza për zbatimin e  Deklaratës për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 3 prill 2014.

Deputetë Kuvendit të Kosovës, të angazhuar në hartimin e kësaj deklarate, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe të Misionit të OSBE-së në Kosovë, diskutuan për modalitetet e zbatimit të deklaratës dhe materializimit të saj në praktikë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pasi bëri një rezyme të punës dhe angazhimit të gjithanshëm për hartimin e kësaj deklarate, e konsideroi atë një dokument të rëndësishëm, i cili përcakton kornizën e bashkëpunimit ndërmjet legjislativit dhe shoqërisë civile. Sidoqoftë, nënkryetari Konjufca theksoi se puna e deritashme përbën vetëm gjysmën e rrugës, pasi që tani nevojitet zbatimit konkret dhe praktik i kësaj deklarate.

“Vetëm zbatimi i saj konkret do ta njëmendësonte bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile. Nevojitet vullnet i mirë dhe gatishmëri e të dy palëve për harmonizimin e veprimeve dhe krijimin e trupave të përbashkët”, theksoi Konjufca.

Duke falënderuar akterët e përfshirë në këtë proces, si: OSBE-në, deputetët dhe organizatat e shoqërisë civile, Konjufca potencoi rëndësinë e përfshirjes së më të madhe të shoqërisë civile në implementimin e saj, i cili, sipas tij, para së gjithash është në interes të publikut.

Driton Selmajan nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), u ndal te qëllimi i deklaratës, e cila, sipas tij, synon promovimin e një dialogu aktiv ndërmjet dy palëve. Duke shprehur fjalë miradie për vendimin e Kuvendit, Selmanaj çmoi bashkëpunimin me deputetët e angazhuar në këtë proces, i cili, sipas tij, njëkohësisht ka shërbyer për të thyer paragjykimet e ndërsjella.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, shprehu angazhimin dhe përkushtimin e administratës së Kuvendit për të ofruar mbështetjen e saj në implementimin e kësaj deklarate. Sekretari Krasniqi tha se kërkesat e shoqërisë civile shqyrtohen me prioritet nga ana e Kuvendit, kur ato adresohen drejt dhe saktë.

“Jemi njëri ndër institucionet më transparente, duke prezantuar punën tonë para mediave dhe publikut në përgjithësi”, theksoi sekretari i Kuvendit, ndërsa përmendi përgjigjet pozitive që Kuvendi ka dhënë në kërkesat e shoqërisë civile për qasje në dokumente publike.  
 
Lidhur me themelimin e grupit punues i cili do ta mbikëqyrë implementimin e deklaratës dhe përzgjedhjen e organizatave të shoqërisë civile në këtë grup, foli përfaqësuesi i OSBE-së, Philip Annawitt.

Deputeti Zenun Pajaziti, ndërkaq, u ndal te rëndësia e përfshirjes sa më të madhe të shoqërisë civile në punën e Kuvendit, si në hartimin e legjislacionit, ashtu edhe të mbikëqyrjes sa më kualitative të punës.

Tryeza vazhdoi me diskutime nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët shpalosën sugjerimet e tyre për punën që duhet bërë në implementimin e deklaratës.

Kjo Deklaratë është përgatitur nga një grup i deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile vitin e kaluar, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Më pas, kjo deklaratë është debatuar me më se 70 organizata të shoqërisë civile në një seri të tryezave të mbajtura në mbarë Kosovën.

Qëllimi i Deklaratës është të definojë parimet e përparimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, të lehtësojë pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në bërjen e ligjeve nga Kuvendi dhe pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në aktivitetet e mbikëqyrjes së ligjeve, si  dhe të sigurojë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës në zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)