Diskutohet thellimi i bashkëpunimit mes DML dhe Prokurorisë
Prishtinë, 30 janar - Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) i Ministrisë së Drejtësisë, sot është vizituar nga Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi dhe nga kryeprokurorët e prokurorive themelore, me çrast nga Drejtori Arsim Gerxhaliu janë njoftuar me punët që bëhen në këtë departament.
Me pas është zhvilluar një takim i përbashkët i prokurorëve me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me Shefin e Sektorit Ekzekutiv të EULEX-it, Mats Mattson dhe me stafin vendor dhe të EULEX-it të DML-së.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se ky takim është i mirë për thellimin e bashkëpunimit në mes të DML-së dhe prokurorive, duke ftuar DML-në të bashkëpunojë me prokuroritë që nga faza e parë e hetimit, që sipas tij, ndryshimet e reja ligjore kanë dhënë një fuqi më të madhe për hetime më të shpejta, më efikase, por edhe një procedurë më të kuptueshme dhe me fuqi më të madhe për prokuroret.
Ministri tha se në kuadër të ndryshimeve të reja ligjore, Ministria e Drejtësisë është e gatshme edhe në mbajtjen e trajnimeve adekuate të stafit, por edhe në koordinim me Prokurorin dhe Policinë, në mënyrë që të gjitha të dhënat të jenë në bazë të standardëve ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, Ministri kërkoi edhe bashkëpunim të DML-së me vendet e rajonit dhe më gjerë, ndërsa vlerësoi punën që ka bërë EULEX-i në kuadër të DML-së, kurse punën e këtij departamenti e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë.
Ministri Kuçi premtoi vazhdim të mbështetjes për Departamentin e Mjekësisë Ligjore në ngritjen e kapaciteteve dhe të kushteve për punë.
Kryeprokurori Ismet Kabashi, pasi shprehi vlerësimin e tij dhe të kolegëve të tij për atë që kanë parë dhe për punën e DML-së, foli për mundësit e thellimit të bashkëpunimit në mes të këtij departamenti dhe prokurorive.
Shefi i Sektorit Ekzekutiv të EULEX-it Mattson, paraqiti përvojat e tij në atë së si duhet të zhvillohet bashkëpunimi në mes të Departamentit të Mjekësisë Ligjore me prokurorit.
Në këtë takim u zhvillua edhe një diskutim i hapur në mes të te pranishmëve, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit në mes të DML-së dhe prokurorive, në ato segmente ku ndonjëherë është paraqitur ndonjë pengesë qoftë e natyre teknike apo tjetër.
U bisedua për rregullimin e procedurave të urdhëresave për autopsi dhe ekzaminime klinike, për pjesëmarrjen në vendin e ngjarjes, për dëshmitë e eksperteve mjeko-ligjor mbi autopsitë e kryera, për mundësin e kthimit të analizave të AND-së në DML, në një periudhë procedural të caktuar, për mundësin e kompletimit të laboratorit të AND-së etj.
Rëndësi tjetër e këtij takimi ishte shfrytëzimi i kapaciteteve vendore dhe të EULEX-it , si dhe aplikimi i shërbimeve të DML-së me Kodin e ri të Procedurës Penale të Kosovës.