Diskutohet përgjegjësia je shtetit në sigurimin e mbrojtjes të drejtave të njeriut
Prishtinë, 21 mars - Institucioni i Avokatit te Popullit, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara te Amerikës dhe Shoqërinë Kosovare për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësi organizon tryezën e diskutimit me temën “Përgjegjësia juridike e shtetit në sigurimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut”.
Institucioni i Avokatit të Popullit, me 6 mars 2018, ka publikuar Raportin Ex officio në lidhje me zgjidhjen efektive të zvarritjeve të procedurës gjyqësore - shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, në të cilin është rekomanduar ndërmarrja e nismës legjislative për propozimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, me të cilin do të përcaktoheshin mjetet efektive juridike për rastet që kanë të bëjnë me zvarritjen e procedurave gjyqësore, në pajtim me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Kjo tryezë ka për qëllim diskutimin me palët e interesit rreth rregullimit të përgjegjësisë juridike të shtetit, si detyrim kushtetues i cili buron nga detyrimet pozitive të shtetit, si dhe rreth nevojës për ndërmarrjen e nismës legjislative që do siguronte përgjegjësinë juridike të shtetit në shërbim të mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, si dhe rritjes së nivelit të llogaridhënies së shtetit ndaj qytetarëve.