Diskutohet për shkelësit e Ligjit mbi zgjedhjet dhe sigurimin e votës
Prishtinë, 9 shtator - Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Demokracia në Veprim (DnV) oragnizojnë tryezën me temën Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit.
Fjalimet hapëse do të mbahen nga Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv, Instituti Demokraci për Zhvillim dhe nga Shkëlqesia e tij Z. Greg Delawie, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Poashtu pjesë e kësaj tryeze do të jenë: Znj. Valdete Daka, Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; Znj. Laura Pula, Koordinatore Nacionale për Zgjedhje, Prokuroria e Shtetit; Z. Naim Rexha, Zëvendës Drejtor i përgjithshëm i Operacioneve, Policia e Kosovës; Z. Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Z. Mul Desku, Kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Lidhur me bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë në periudhën zgjedhore, me përkrahjen e Institutit D4D, është nënshkruar marrëveshje mes institucioneve relevante mbi procesin zgjedhor.
Kjo marrëveshje ka bërë bashkë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Prokurorinë, Policinë, Komisionin Qendror Zgjedhor dhe Panelin Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.
Kjo me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe zbatimit të procedurave për shkelësit e Ligjit mbi zgjedhjet dhe sigurimit të votës së lirë, të drejtë dhe demokratike. Ky bashkëpunim tashmë në disa zgjedhje ka pasur rezultate pozitive.
Tryeza të kësaj natyre janë mbajtur ditëve të kaluara në Gjakovë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Mitrovicë, ku janë të ftuar përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Policisë së Kosovës (PK), Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), shoqërisë civile dhe akterë tjerë të rëndësishëm, që kanë për qëllim bashkëpunimin e koordinuar në mes të organeve menaxhuese të zgjedhjeve si dhe institucioneve të drejtësisë me qëllim të sigurimit të mbarëvajtjes dhe mbrojtjes së votës në ditën e zgjedhjeve.