Diskutohet mbi çështjen e banimit në ish objektin e Sanatoriumit
Prishtinë, 20 mars - Komiteti për Komunitete në takimin e sotëm të rregullt, të parin për sivjet, diskutoi çështjen e banimit të disa familjeve të vendosura në ish objektin e Sanatoriumit.
Kadri Krivenjeva, kryetar i Komitetit ka thënë se kushtet e banimit në këtë objekt janë shumë të rënda e sidomos në aspektin higjienik. Aty nuk ka rrjet të sistemit të ujësjellësit, ndërsa banorët shfrytëzojnë ujin nga pusi. Elmihane Malsiu, anëtare e Komitetit për Komunitete ka thënë se në këtë objekt mungojnë kushtet elementare për banim, ndërsa në gjendje ekstreme jeton familja Terziu, pasi në këtë familje kushtet higjienike janë nën çdo minimum. Aty ekziston rreziku për përhapjen e ndonjë epidemie si pasojë e mospastërtisë, u shpreh Malsiu.
Besnik Bajra, inspektor sanitar ka thënë se është bërë dezinfektimi i hapësirës së banimit në objektin e ish Sanatoriumit, me theks hapësira e banimit të familjes Terziu, ndërsa është rekomanduar që në objekt të bëhet dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi, pastaj të sigurohet uji, të bëhet kontroll sistematike mjekësore për banorë dhe të sigurohen mjete higjienike. Komiteti për Komunitete e ka trajtuar edhe dhunën në familje. Ramadan Luzha, drejtor i Qendrës për Punë Sociale (QPS) i cili ishte i ftuar në takim, ka thënë se dhuna në familje nuk është e theksuar në Komunën e Kaçanikut.
Ai nënvizoi se rastet e dhunës në familje kanë tendencë rënie, ndërsa i pyetur për gjendjen sociale në Komunën e Kaçanikut, Luzha ka thënë se aktualisht mbi 800 familje gëzojnë ndihmën sociale dhe 76 familje të tjera të cilat kanë fëmijë me nevoja të veçanta. Nazife Krasniqi, anëtare e Komitetit për Komunitete ka thënë se rastet e dhunës ndaj femrës shpeshherë nuk raportohen, ndërkaq shprehu bindjen e saj se megjithatë ka dhunë ndaj gruas.