Diskutohet draft-rregullorja për ri integrimin e personave të riatdhesuar
Prishtinë, 8 maj - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi me kryetarët e komunave për të diskutuar draft-rregulloren për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Menaxhimin e Ri-integrimit.
Zëvendësministri i punëve të Brendshme, Izmi Zeka , tha se procesi i ri-integrimit është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi që ka ndikim direkt në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, zëvendësministri Izmi Zeka, kërkoi përfshirjen e të gjithë akterëve, në veçanti të nivelit komunal, në zbatimin e rregullores për të cilën u diskutua.
Procesi i Ri-integrimit është me rëndësi të zbatohet me përpikëri, në mënyrë që të mos ketë ngecje në të ardhmen. Shumica e përgjegjësive duhet të barten nëpër komuna, prandaj, duhet të jetë përgjegjësi ekskluzive e kryetarëve të komunave, që të jenë në mbikëqyrje të këtij procesi, theksoi ai.
Këshilltarja vendore e projektit të binjakëzimit, Meri Sisko Eskola, përgëzoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për angazhimin e bërë për ri-integrimin e personave të riatdhesuar.