Diskutohen prioritetet e legjislatures se re në përmirësimin e sundimit të ligjit
Prishtinë, 31 tetor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizon tryezën e diskutimit me temë: “Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit”.
Kjo tryezë diskutimi e cila do të mbahet sot ka për qëllim që të diskutojë mbi propozimet, agjendat dhe prioritetet e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Më tutje, diskutimi do të fokusohet në çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e legjislacionit apo politikave parlamentare në fushën gjyqësore dhe prokuroriale, mekanizmat e zbatimit të drejtësisë penale, mekanizmat në luftën kundër korrupsionit, apo edhe proceset e integritetit siç është vetingu mbi sistemin e drejtësisë.
Përfaqësuesit e subjekteve politike do të kenë rastin të përgjigjen në pyetjet se çfarë janë prioritetet e legjislaturës së re në fushën e sundimit të ligjit? Çfarë pritet të ndodh me shumë iniciativa të mbetura në gjysmë të qeverisë së kaluar? Kush do të jetë udhërrëfyes në ndërtimin e një politike të reformës në drejtësi?
A do të merren paralele nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria? Në çfarë forme do të duket përfshirja e elementit ndërkombëtar në këto reforma, dhe kush do ta ketë pronësinë e procesit?
Një diskutim i tillë do të mundësojë, për herë të parë pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, që partitë politike të diskutojnë mbi axhendat e tyre dhe angazhimin e mëtutjeshëm parlamentar në fushën e sundimit të ligjit.
Për fund, ky diskutim do shërbej në informimin e drejtë të qytetarëve lidhur me planet thelbësore të legjislaturës së re në përmirësimin e fushës së sundimit të ligjit.