Diplomati suedez premtoi vazhdimin e mbështetjes për Kosovën
Prishtinë, 9 shkurt - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, znj. Edita Tahiri priti në takim delegacionin suedez të udhëhequr Bjorn Lyrvall, Drejtor i Përgjithshëm Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, dhe në përbërje të të cilit ishin Torbjörn Sohlström, Shef i Kabinetit të Ministrit Carl Bildt, Lars Wahlund, Ambasador jo rezident për Kosovë, dhe znj. Iingrid Johansson , e ngarkuar me punë në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë.
Fillimisht Zonja Tahiri shprehu kënaqësinë për takimet e shpeshtuara mes dy vendeve duke konstatuar se marrëdhëniet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë po shënojnë avancime të reja.
Poashtu znj. Tahiri vlerësoi përkrahjen e ofruar nga shteti suedezë në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantikë dhe falënderoi për mbështetjen për një të ardhme të qartë evropiane të Kosovës të konfirmuar në vendimet e Këshillit evropian në dhjetorin e kaluar në Bruksel.
Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Kosova ka bërë përparime substanciale në shtetndërtim dhe përmbyllja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë gjatë këtij viti është një mirënjohje ndërkombëtare për sukseset e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë kuadër, ajo rikonfirmoi përkushtimin për të ngritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe foli për angazhimet për integrimin e qytetarëve serb të pjesës veriore të vendit sipas Kushtetutës së vendit dhe Planit të Ahtisarit.
Një pjesë e bisedës iu kushtua procesit të dialogut teknik, ku Zv. Kryeministrja Tahiri konfirmoi se Kosova ka plotësuar të gjitha obligimet e këtij procesi dhe mbetet e angazhuar për rezultate të reja.
Mirëpo nga ana tjetër, ajo shprehu shqetësimet për mospërmbushjen e obligimeve nga ana e Serbisë duke thënë se vazhdimi i barrikadave në veri dhe ndërhyrjet ilegale politike të shtetit të Serbisë janë pengesa shumë serioze për perspektivat e dialogut dhe të cilat meritojnë vëmendjen më të madhe të Bashkimi Evropian dhe të Suedisë në veçanti.
Kushtet e BE-së për Serbinë janë të qarta por ka një paqartësi apo mungesë vullneti nga ana e Serbisë për ti përmbushur këto kushte tha ajo, si dhe kërkoi që të rritet presioni ndaj Serbisë për respektuar marrëveshjet e arritura dhe fqinjësinë e mirë me Kosovën.
Ndërsa diplomati suedez, Bjorn Lyrvall, ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Suedisë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si premtoi vazhdimin e mbështetjes për Kosovën në rrugën e reformave evropiane.
Ai vlerësoi fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave si dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe shtoi se angazhimi konstruktiv i Kosovës në dialogun teknik është një tregues për sjelljen evropiane të Kosovës si shtet i ri.
Poashtu Lyrvall konsideroi si shumë të rëndësishëm shtyrjen përpara të këtij dialogu duke vënë në pah se zbatimi i plotë i marrëveshjeve dhe arritja e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal është obligim i të dyja palëve.
Ai në veçanti përmendi se Suedia po përcjellë me kujdes plotësimin e kushteve të BE-së nga ana e Serbisë në dritën e rishqyrtimin të kandidaturës për Serbinë duke vlerësuar se nga ky takim ka marrë informacione relevante për ngecjen në zbatimin e marrëveshjeve.
Në fund të dyja palët u pajtuan për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Suedisë në funksion të ardhmërisë euro-atlantike të Kosovës dhe të rajonit.