Diplomacia dhe shoqëria civile të rëndësishëm në procesin e njohjeve
Këto dy vizita janë organizuar në vazhdën e përpjekjeve të intensifikimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende hezitojnë ta njohin shtetin e Kosovës. Vizitat lobuese janë ndërmarr në kuadër një projekti të përbashkët të MPJ-së me Ambasadën Britanike në Prishtinë dhe Këshillin Britanik.
Gjatë takimeve, Hoxhaj i falënderoi këto dy delegacione për kontributin e dhënë dhe potencoi rëndësinë që ka lobimi në disa nivele, përtej përpjekjeve diplomatike dhe institucionale.
Ministri Hoxhaj theksoi se shpeshherë diplomacia publike e përcjellë paralelisht me diplomaci parlamentare dhe atë të shoqërisë civile luan rol të rëndësishëm në formësimin e opinionit publik në vendet ku kërkohet njohja si dhe mund të ndryshojë pozitivisht qasja e spektrit të gjerë politik, ekonomik, dhe shoqëror.
Me theks të veçantë, ai theksoi rëndësinë që njohja nga këto vende anëtare të BE-së ka për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Deputetët pjesëmarrës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile ndan përvojën e tyre lobuese në Rumani dhe Qipro dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të spektrit të gjerë politik në fushën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.
Takimi shërbeu edhe si një mundësi për të shkëmbyer mendime lidhur me sfidat aktuale dhe përpjekjet që diplomacia kosovare është duke ndërmarrë për të konsoliduar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe të zgjerojë njohjen diplomatike dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.