Dialogu teknik nis në qershor, për veriun nga shtatori
Prishtinë, 23 mars - Delegacioni i Republikës së Kosovës dhe ai i Serbisë pritet që të takohen sërish nga fundi i majit, eventualisht fillimi i muajit qershor.
Burime ndërkombëtare kanë theksuar për gazetën Koha Ditore se diplomatët evropianë presin që Serbia të mos shpenzojë shumë kohë në ndërtimin e qeverisë së re atje pas zgjedhjeve parlamentare më 6 maj dhe palët të takohen pak javë pas zgjedhjeve për të bërë marrëveshje edhe në dy çështje: telekomunikacion dhe energjetinë.
Të dy temat, që sipas diplomatëve ndërkombëtarë prekin përmirësimin e jetës në veri të Kosovës, për shkak të energjisë elektrike, postës dhe operatorëve telefonikë atje, do të përgatisin terrenin që pas pushimeve të verës, të dy kryeqytet të fillojnë adresimin e çështjes së veriut të Kosovës nga shtatori.
Diplomatë evropianë i kanë thënë gazetës se po analizohen modelet se si do të trajtohet veriu, dhe një gjë e tillë nuk duhet të nisë domosdoshmërisht me anë të dialogut politik.
Ka disa çështje në veri, siç është çështja e funksionimit teknik të gjykatës, pastaj funksionimi i shkollave, shtëpive të shëndetit, transportit publik që mund të trajtohen si çështje të ndërmjetshme, deri në adresimin politik të veriut, i ka thënë gazetës një diplomat evropian i akredituar në Prishtinë.
Sipas të njëjtave burime, deri atëherë Prishtina dhe Beogradi do të rikomponojnë përfaqësimin që do të kenë në atë që quhet dialog politik.