Dialogu për Liberalizim të Vizave do të bëhet në fund të këtij viti
Prishtinë, 18 nëntor - Në Ministrinë së Punëve të Brendshme u mbajt takimi i dymbëdhjetë i radhës i Grupit Punues për Liberalizimin e Vizave (GPLV) me Bashkimin Evropian.
Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, zyrtarë të lartë të MPB-së dhe ministrive tjera, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare.
Në këtë takim u prezantuan të arriturat e fundit të institucioneve të vendit lidhur me procesin e Liberalizimit të Vizave me BE-në.
Ministri Rexhepi para zyrtarëve të pranishëm theksoi se hapja e dialogut për Liberalizim të Vizave do të bëhet në fund të këtij viti.
Ai tha se problem kyç mbetet numri i lartë i azil-kërkuesve nga Kosova në shtetet e BE-së dhe kërkoi që të përgatiten plane operacionale policore për luftimin e rrjeteve të kontrabandimit me migrantë ilegal nga Kosova.
Do të përgatiten raporte evaluimi të strategjive që koordinohen nga Ministria e Brendshme, si ajo e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, kundër krimit të organizuar, trafikimit me droga, luftimin e terrorizmit, migrimit, etj. Do të përgatitet një plan vjetor nga Task-forca për parandalimin e shpëlarjes së parave, luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e aseteve të paligjshme, tha ministri Rexhepi.
Gjithashtu ministri Rexhepi bëri të ditur se ka filluar lëshimi i pasaportave biometrike, megjithatë kërkoi angazhim të stafit të Agjencionit të Regjistrimit Civil, EULEX-it dhe projektit të Komisionit Evropian që të garantohet siguria e dokumenteve në vazhdimësi.
Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, tha se të gjitha komunat e Kosovës kanë përparuar dukshëm në procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar dhe se tani të gjitha kanë borde të tyre të veçanta të riatdhesimit.
Ne do të mbajmë këtë tempo të punës dhe jam e bindur se do ti përmbushim kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian në procesin e Liberalizimit të Vizave, theksoi Çitaku.
Grupi Punues për Liberalizim të Vizave me BE-në mban takime të rregullta me çrast nga përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës raportohet për të arriturat e fundit për procesin e Liberalizimit të Vizave me BE-në.