Dialogu nuk ndikon pozitivisht në liberalizimin e vizave
Prishtinë, 4 prill - Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku thotë se atmosfera e zymtë në BE sa i përket liberalizmit të vizave nuk e dekurajon Kosovën.
Sipas saj, autoritetet janë të vetëdijshme për kriteret rigoroze evropiane në këtë proces. Çitaku thotë se marrëveshja eventuale me Serbinë, nuk ndikon pozitivisht në liberalizimin e vizave.
Autoritetet kosovare nuk presin që Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për kosovarët si dhuratë për shkak të dialogut me Serbinë, shkruan Express.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku tha se proceset janë të ndara. Ndonëse Kosovës i është vënë kusht për integrime evropiane normalizimi i raporteve me shtetin serb.
Këto janë procese të ndara. Nga dialogu me Serbinë ne presim vetëm normalizimin e raporteve mes dy shteteve tona kusht ky për integrimin evropian po ashtu, tha Çitaku për Express.
Çitaku po ashtu tha se nuk i druhen deklaratave të zyrtarëve evropianë të cilët flasin për atmosferë të zymtë në BE rreth liberalizmit të vizave për Kosovën.
Rreth kësaj çështjeje së fundi foli parlamentarja evropiane, Tanja Fajon.
Por, deklaratat e Fajon për ministren Çitaku nuk duken dekurajuese ani pse Kosova është shteti i fundit në Ballkanin Perëndimor me regjim të vizave si dhe me një numër më të madh të kritereve, për dallim prej vendeve të rajonit, për këtë proces.
Ne nuk e shohim këtë si diçka të drejtuar kundër Kosovës por si një proces që bazohet në mësimet e marra, mësimet dhe pësimet që BE ka marrë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e rajonit e të cilat janë shndërruar në kritere për Kosovën, tha ministrja.
E deri të kërkimi për liberalizimin e vizave Kosova duhet ti plotësojë shumë rekomandime të cilat së fundit KE i ka bërë të qartë për autoritete e shtetit.
Ndër to në mënyrë rigoroze përmendet nevoja për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik, si dhe çështja e riatdhesimit dhe riintegrimit. Deputetja sllovene Fajon problem tjetër e ka përmend shtimin e numrit të azilkërkuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor por edhe nga e tërë bota.