Dezinformimi gjinor kërcënon integritetin demokratik dhe barazinë gjinore
Prishtinë, 23 shkurt - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe USAID në Kosovë, në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, kanë kënaqësinë organizojnë në konferencën "Luftimi i dezinformatave me bazë gjinore".
Dezinformimi gjinor kërcënon integritetin demokratik dhe barazinë gjinore duke synuar në mënyrë disproporcionale gratë dhe duke dekurajuar pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.
Hulumtimet e shumta në këtë fushë arrijnë në përfundimin se dezinformimi gjinor është përdorimi i informacionit të rremë për të ngatërruar ose mashtruar duke manipuluar gjininë si një ndarje sociale me synimin që të minohet pjesëmarrja e lirë dhe të barabartë e grave në jetën publike.
Përmes konferencës "Luftimi i dezinformatave me bazë gjinore" do të adresohen problemet aktuale në media që ndërlidhen me mizogjininë online dhe dezinformimin gjinor, dhe për praktikat më të mira për zbutjen e këtyre sfidave me qëllim që të nxirren rekomandime për ndërtimin e strukturave më të mira organizative për gratë e prekura nga dezinformimi gjinor; të diskutohet për aspektin ligjor dhe mënyrën e monitorimit të rasteve të tilla.
Paneli do të përbëhet nga gazetarë, hulumtues dhe përfaqësues të organizatave. Në konferencë do të marrin pjesë gazetarët pjesëmarrës në modulet e deritashme të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit. Bazuar në diskutimin dhe rekomandimet e kësaj konference, pjesëmarrësit e akademisë do të përpilojnë një dokument (udhëzues) për praktikat që duhen ndjekur në rastet e tilla.