Dështon seanca e konstituimit të Kuvendit
Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur as të sot të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, pasi që në sallën e Kuvendit, nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas [PAN]. Aty nuk kanë qenë të pranishëm as deputetët e komuniteteve pakicë.
“Në sallë janë 61 deputetë, por nuk është PAN-i këtu dhe për këtë i ndërprejmë punimet e kësaj seance”, tha Mikullovci. Ai bëri me dije se për vazhdimin e seancës deputetët do të njoftohen me kohë.
Kurse Avdullah Hoti nga LAA, tha se do të kërkojnë rrugë tjetër ligjore për seancën konstituive.
"Ftoj deputetët e koalicionit PAN të jenë të arsyeshëm, të jenë prezent në seancë, të japin propozimin e tyre. Të dëgjojmë vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të lëvizim përpara në themelimin e institucioneve të vendit. Kemi humbur shumë kohë, është dashur edhe Kuvendi edhe Qeveria të jenë funksional për gati tash e dy muaj. Kjo e bënë të qartë kush është i përgjegjshëm në themelimin e këtyre institucioneve", tha Hoti.
Për mosprezencën e deputetëve të koalicionit PAN, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Glauk Konjufca, tha se ata të cilët janë duke i bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës, duhet të japin përgjegjësi morale dhe politike. Ai tha se ata që po thonë se janë fitues të zgjedhjeve dhe që thonë se i kanë votat e mjaftueshme, nuk po vijnë në Kuvend për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
"Kjo është e papranueshme me standardet e demokracisë. Kjo është shkelje e rëndë e demokracisë, të mbahen peng institucionet për shkak të një emri dhe të bëhet sa më shumë kohë, që të takojë deputetë të caktuar në kafene, që me presion e shantazh t'i bindin ata për ta votuar një kryetar të papëlqyer të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne e dënojmë këtë praktikë dhe kjo praktikë nuk duhet të zë vend në një shtete që i thotë vetes demokratik", tha Konjufca.
Konjufca ka ftuar PAN-in që të ndërpresë bojkotimin e seancës konstituive, dhe ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
"Rregullat e demokracisë thonë kështu kur nuk i ke votat dhe kur dëshiron t'i arrish ato, duhet të bësh kompromis. Kompromisin që ne po ua kërkojmë atyre është që të mos e qesin për kryetar të Kuvendit [Kadri Veselin], një figurë që prej shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës është i papranueshëm”, tha Konjufca.