Dështimi i Speciales e çon vendin në zgjedhje
Prishtinë, 2 gusht - Një dështim i sërishëm i Kuvendit për ta miratuar themelimin e Gjykatës Speciale do të mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Megjithëse besohet se koalicioni qeverisës PDK - LDK i ka siguruar votat e nevojshme për miratimin e amendamentit kushtetues, që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve politike vlerësojnë se dështimi i sërishëm i Kuvendit për ta miratuar amendamentin 24 të Kushtetutës do të kishte pasoja të shumta për vendin.
Ndërsa, analistët politikë në vend kanë vlerësuar se dështimi për themelimin e Speciales do ta dërgonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme.
Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë për Zërin se sipas analizës që është bërë në Grupin Parlamentar të PDK-së është arritur konkluzioni që do të ketë vota të mjaftueshme për tu miratuar ky amendament dhe për tu themeluar Gjykata Speciale.
Në të kundërtën, sipas tij, refuzimi do të shkaktonte pasoja në shumë fusha, ndonëse nuk beson që vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.
/Zëri/