Dështimi i mbledhjeve të komisioneve parlamentare
Prishtinë, 26 maj - Prishtinë, 26 maj 2010 - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) reagon me shqetësim ndaj zhvillimit të punimeve të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës gjatë dy ditëve të fundit. Dështimi i tri mbledhjeve të komisioneve parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit dhe mbajtja e dy mbledhjeve pa kuorumin e domosdoshëm, është shqetësuese për mbarëvajtjen e punës së institucionit më të lartë përfaqësues në vend.
Dështimi i mbledhjeve të komisioneve për shkak të mungesës së kuorumit si ato të: Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor e datës 25.05.2010, e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media me 26.05.2010 dhe mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane me 26.05.2010, tregon për papërgjegjësinë e deputetëve në kryerjen e obligimeve kushtetuese karshi zgjedhësve të tyre.
KDI po ashtu reagon kundër mbajtjes së mbledhjeve të komisioneve parlamentare pa kuorumin e domosdoshëm si ajo e: Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale e datës 25.05.2010, ku të pranishëm ishin vetëm tre anëtarët, si dhe ajo e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion e datës 25.05.2010 ku të pranishëm ishin pesë anëtarë të këtij komisioni. Një veprim i tillë është në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Sjellja e tillë e deputetëve të Kosovës sjell si pasojë edhe prolongimin e miratimin të një numri të madh të ligjeve shumë të nevojshme dhe të rëndësishme për vendin tonë.