Dështimi i dialogut, trimëron serbët e veriut
Mitrovicë, 4 prill - Përfaqësuesit politikë të serbëve nga veriu janë trimëruar nga qëndrimet dhe pozicioni i qeverisë së Serbisë në dialog me Kosovën.
Përderisa gjatë fillimit të javës, të shqetësuar nga paralajmërimet për arritjen e një marrëveshjeje Prishtinë-Beograd, këta përfaqësues kërcënonin se do të formonin një kuvend i cili do ti shpallte të zbatueshme në veri vetëm Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë dhe do të pezullonte çdo legjislacion të Kosovës, të mërkurën ata kanë folur ndryshe.
Liderët serbë nga veriu i vendit kanë dalë me qëndrimin se Serbia me pozicionimin e saj në takimin e 2 prillit në Bruksel nuk lejoi që të përulet e poshtërohet para shantazheve të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare që kërkonin marrëveshje me Prishtinën, shkruan Tribuna.
Takimi i delegatëve serbë në veri ishte paralajmëruar të jetë në funksion të miratimit të bazës ligjore për shpalljen e territorit të veçantë e autonom që do të funksiononte mbi bazën e ligjeve të Serbisë.