Deri në orën 11:00 votuan 8.2 për qind e qytetarëve
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se pjesëmarrja në votime ka qenë 8,2%, apo rreth 152,000 votues nga mbi 1,800,000 qytetarë me të drejtë vote.
Ai ka thënë se vendvotimet janë hapur të gjitha me kohë, në tërë Kosovën. Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovisht për të votuar.
Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetorit në Kosovë, tha se procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është tre herë më e lartë krahasuar me komunat tjera.
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovë më 2017, deri në këtë periudhë kanë votuar 10.3 për qind e votuesve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë dhe pa incidente që mund të pengojnë procesin zgjedhor.
Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.