Deri në fund të javës mbahen tri seanca të Kuvendit
Prishtinë, 6 dhjetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, ka rikonfirmuar rendin e ditës për seancat e 7 dhe 10 dhjetorit, kurse ka tumirë kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, t\'u adresohet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, prandaj një seancë të veçantë për fjalën e Presidentes në Kuvend e ka paraparë për ditën e enjte, më 8 dhjetor.
Në seancën e së mërkurës do të paraqesë interpelancë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Mimoza Kusari-Lila, lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë( sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kurse në vazhdim do të shqyrtohen shtatë projektligje.
Kuvendi do të shënojë 10-vjetorin e punës së tij me një seancë solemne, e cila do të mbahet ditën e shtunë, më 10 dhjetor. Kryesia po sot ka precizuar aktivitetet e parapara për shënimin e kësaj date të rëndësishme.
Kryesia është marrë edhe me mundësinë e shqyrtimit të dytë të Projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre, projektligj ky që dy herë radhazi ishte kundërshtuar nga komisioni funksional, prandaj duke e parë edhe disponimin e shumicës së anëtarëve të Kryesisë dhe të shefave të grupeve parlamentare, Kryesia ka vendosur që në njërën nga seancat e radhës të merret vendimi përfundimtar për procedim ose jo të mëtutjeshëm të këtij projektligji.
Pasi i ka shqyrtuar njoftimet për skadim mandati të anëtarëve të komisioneve dhe këshillave (bordeve) të organeve të pavarura: Bordit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, dhe Agjencisë Kosovare të Pronës, Kryesia ka nxjerrë përfundimin të kërkojë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që, në afatin më të shkurtër të mundshëm dhe në pajtim me ligj, të ndërmarrë veprimet për parashtrimin në Kuvend të propozimeve për emërimin e anëtarëve të Bordeve, Këshillave dhe Komisioneve të organeve të pavarura të emëruara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe atë:
a) Propozimin për anëtarët e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës,
b) Propozimin për anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, dhe
c) Propozimin për anëtarët e Agjencisë Kosovare të Pronës.
Kryesia i ka ngarkuar komisionet parlamentare që, secili nga fushëveprimi i vet, ta njoftojnë Kryetarin e Kuvendit së paku 60 ditë para përfundimit të mandatit të kryetarit dhe të anëtarëve të organeve të pavarura, të emëruara nga Kuvendi.
Kryetari i Kuvendit do të kërkojë nga propozuesi që në afatin më të shkurtër të mundshëm dhe në pajtim me ligjin, të ndërmarrë veprimet për parashtrimin në Kuvend të propozimeve për emërimin e anëtarëve të bordeve, këshillave dhe komisioneve të organeve të pavarura të emëruara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Po në mbledhjen e sotme Kryesia është njoftuar për tërheqjen e nënshkrimeve të deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së, nga nisma legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.