Deputetët vizitojnë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës
Prishtinë, 21 shkurt - Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës Naim Abazi priti në takim pune Ramë Vataj, Kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, së bashku me 5 anëtarët tjerë të këtij komisioni.
Kryetari Abazi, e njoftoi Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit me punën dhe angazhimin e stafit të Këshillit për të siguruar ligjshmërinë e menaxhimit në Shërbimin Civil, përmes shqyrtimit dhe vendosjes për ankesat e nëpunësve civilë, vëzhgimit të procesit të emërimit të nëpunësve të nivelit drejtues dhe mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil nga institucionet e administratës publike.
Kryetari Abazi, i njoftoi të pranishmit me problemet dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet Këshilli, duke përfshirë buxhetin e pa mjaftueshëm në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve si dhe mungesën e zyrave dhe hapësirave të punës për shqyrtimin dhe zgjidhjen efikase të lëndëve, për mbajtjen e seancave dëgjimore dhe seancave të kolegjeve për shqyrtimin e ankesave.
Kryetari i Komisionit Vata dhe anëtarët e Komisionit, duke shprehur gatishmërinë për mbështetje dhe përkrahje të vazhdueshme për punën e Këshillit, u interesuan për aspekte të ndryshme të punës së Këshillit.
Pas takimit, u vizituan hapësirat e punës së Këshillit, dhe nga të gjithë pjesëmarrësit e takimit u vlerësua që është nevojë urgjente, sigurimi i hapësirave të punës në pajtim me kërkesat dhe nevojat e Këshillit.
Në fund, Kryetari Abazi, duke i falënderuar për mbështetje Kryetarin e Komisionit z. Vata dhe anëtarët e Komisionit, shprehu përkushtimin e fuqishëm të Këshillit për sigurimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional dhe të paanshëm sipas rregullave dhe parimeve të shërbimit civil.