Deputetët Shukrije Bytyçi dhe Ilir Deda nuk janë suspenduar
Prishtinë, 1 dhjetor - Kuvendi i Kosovës ka theksuar se sot, është plasuar, në mënyrë të pasaktë, një informatë sipas të cilës janë suspenduar edhe Shukrije Bytyçi, deputete e Nismës për Kosovën dhe Ilir Deda, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo informatë sipas Kuvendit është krejtësisht e pavërtetë.
Sot nuk ka pasur asnjë mbledhje të asnjë mekanizmi të Kuvendit të Kosovës, ku eventualisht do të mund të diskutohej ndonjë veprim procedural.
Në vendimin e djeshëm të Kryesisë së Kuvendit, për të dy deputetët e lartpërmendur nuk është marrë masa e suspendimit ditor, njësoj sikurse edhe për deputetët tjerë të opozitës që nuk kanë qenë pjesëmarrës në seancën plenare të Kuvendit.
Në vendim është qartësuar se suspendimi është ditor dhe individual.