Deputetët shprehin indinjatë për sjelljen denigruese ndaj grave
Prishtinë, 25 shtator - Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës shpreh indinjatën e thellë për tendencën për paraqitje në mënyrë denigruese, poshtëruese, fyese dhe të pamoralshme, të figurës së grave të Kosovës, të angazhuara në jetën publike.
Tani në prag të zgjedhjeve lokale,kur një numër i konsiderueshëm i grave janë të kandiduara, jo rastësisht individë fanatik e dashakeqës duan ti dekurajojnë, e madje edhe t i frikësojnë ato.
Grupi i Grave Deputete shpreh indinjatë ndaj portalit Iindexonline me rastin paraqitjes së figurës së presidentes së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,në një pozicion që nuk është etike të fotografohet askush, e aq më tepër presidentja e vendit.
GDD-ja njëkohësisht reagon ashpër edhe ndaj kërcënimit qyqar të një anëtari të KQZ-së ndaj kryetares së KQZ-ës, znj. Valdete Daka.
GGD-ja kërkon nga të gjithë aktorët e shoqërisë dhe institucionet e Kosovës që të dënojnë ashpër paraqitjet e tilla poshtëruese kundër grave që vijnë ,qoftë nga individët ,qoftë nga ndonjë media, duke keqpërdorur lirinë e shprehjes.
GGD-ja gjithashtu i bën thirrje mediave që të raportojnë me profesionalizëm dhe të mos vrapojnë pas inskenimit të skandaleve.