Deputetët, me vetura të blinduara e shofer personal
Prishtinë, 9 janar - Përveç liderëve shtetëror edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës vozitën me vetura të blinduara dhe kanë shofer personal. Për pagat e shoqëruesve, ligjvënësit nuk japin detaje.
Nuk janë vetëm drejtuesit e shtetit, kryetarët e komunave, liderët partiakë e ministrat e Qeverisë, ata që shoqërohen me truproje e lëvizin me vetura të blinduara, por janë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, që nuk ia lëshojnë rrugën lidershpit.
Madje, ata deri në Kuvend shkojnë me vetura të blinduara dhe kanë shoferë personalë, për të cilët askush nuk e di sa paguhen dhe kush i paguan.
Ndonëse asnjëri prej këtyre deputetëve nuk pranon se kanë të angazhuar shoferë privatë, megjithatë ajo që dihet është se gjatë seancave plenare dhe punës nëpër komisione, disa deputetë të Kuvendit shihen tek vijnë në Kuvend të shoqëruar nga vozitësit e tyre.
Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, kryetarit të Kuvendit i takon që ti ketë në shërbim dy vetura zyrtare me nga dy shoferë gjatë gjithë 24 orëve, derisa edhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit iu takon ta kenë nga një shofer në dispozicion, të cilët paguhen nga buxheti i Kuvendit, por kjo nuk është e paraparë edhe për deputetët e legjislativit.
/Zëri/