23 Dhjetor 2024

Deputetët e VV-së tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit

Prishtinë, 4 shkurt - Dje gjatë ditës janë publikuar shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilat kanë ngjallur reagime të shumta të qytetarëve.

Mimoza Kusari Lila kryetare e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes ka thënë se duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e shpenzimit të parasë publike dhe rëndësinë e llogaridhënies për përgjegjësitë e deputetëve, me anë të këtij njoftimi dëshiron të jap të plotë informacionin lidhur me këto kompenzime.

Vendimi mbi kompenzimin e deputetëve bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet e tyre të punës, sipas saj daton nga 10 Tetori, 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit z. Jakup Krasniqi.

Me anë të këtij vendimi, në mesin e tjerave, parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisionet e caktuara me vlerat si vijon:
deri në 30 km – 10 euro
deri në 60 km – 20 euro dhe
mbi 60 km – 30 euro.

"Zbatimi i këtij vendimi nuk bëhet me fatura të derivateve, por si pjesë e pagës mujore e cila llogaritet automatikisht me pagën mujore."

"Deputetët me rastin e regjistrimit të tyre për mandate në fillim të secilës legjislaturë, plotësojnë formularët për vendbanimin e tyre."

"Me rastin e regjistrimit të tyre dhe fillimin e punimeve të Kuvendit, automatikisht fillon llogaritja e pjesëmarrjes së tyre në seanca dhe komisione funksionale, e me to edhe kompenzimi për udhëtime", ka thënë Kusari Lila.

Aktualisht sipas saj në legjislaturën e VIII të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje.

"Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard", ka shtuar ajo.

Kusari Lila ka deklarur se gjithashtu, deputetët e Vetëvendosjes do të kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve.

"Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e performances së punës së deputetëve, llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Republikës!", ka pohuar në fund ajo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)