Deputetet e Kosovës vizituan Parlamentin e Suedisë
Stokholm, 30 nëntor - Një delegacion i anëtareve të Bordit të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës zhvilloi një vizitë dyditore në Parlamentin e Suedisë.
Delegacioni i grave deputete zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme. Ato u pritën edhe nga përfaqësuesi më i lartë i këtij institucioni, kryetari i Parlamentit Suedez, Per Westerberg.
Kryetarja e grupit të Bordit të GGD-së, znj. Teuta Sahatqija e njoftoi kryetarin e Parlamentit të Suedisë me angazhimin e grave deputete për çështje të rëndësishme, si ajo e kuotës në Parlament dhe asambletë, angazhimin për barazi gjinore edhe në institucione të tjera të Kosovës, përpjekjet për të instaluar demokracinë në vend, si dhe disa prej aktiviteteve tjera , me të cilat po merret ky grup.
Westerberg theksoi se në Parlamentin e Suedisë 47% janë gra, ndërsa përbërja e kabinetit qeveritar aktualisht anon nga gratë.
Ai theksoi se debati dhe përpjekjet në Suedi kanë të bëjnë me futjen e kuotës gjinore edhe në borde dhe agjenci shtetërore, por edhe në bordet e kompanive private.
Anëtaret e Bordit patën një takim edhe me grupin homolog të grave të Parlamentit të Suedisë , i cili përbëhej nga përfaqësueset e secilës parti dhe që merrej me çështje gjinore.
Duke ndarë eksperiencat e përbashkëta përfaqësueset e të dyja grupeve diskutuan edhe për iniciativat e përbashkëta që mund të sendërtohen në të ardhmen.
Në takimin me fondacionin Kvina til Kvina, (Gratë për gratë), sekretarja e përgjithshme Lena Ag theksoi se eksperienca e grupit të Grave deputete të Kosovës do të shërbejë si një model shumë i mirë, i cili do t iu rekomandohet edhe shumë vendeve të tjera nëpër botë.
Anëtaret e bordit gjatë vizitës në Suedi zhvilluan takime edhe me përfaqësues të institucionit të Ombudsmanit për barazi gjinore, me të cilët u bisedua se si mund të merret eksperienca e Suedisë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe veçanërisht të grave dhe fëmijëve.
Po kaq i rëndësishëm ishte edhe takimi me institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe asistencë Zgjedhore, IDEA, i cili është i specializuar për sistemet zgjedhore.
Përfaqësuesja e këtij institucioni, znj.Rumbidzai, tha se kuota legjislative ka sjellë rezultate të prekshme në Kosovë dhe se tashmë lufta duhet përqendruar në demokratizimin e brendshëm të partive politike. Sipas saj futja e kuotës gjinore në statutet e partive është domosdoshmëri, jo vetëm në Kosovë, por edhe vende të tjera.